ZONA JUGAMERIKANE

Foto: AFA
Pa oksigjen por me Messin, Argjentina arrin Botërorin
11 October, 2017 @8:09
Mbi 2800 metra lartësi mbidetare dhe vetëm pas disa sekondave lojë në Atahualpa të Quitos, Argjentinës që në fillim të ndeshjes vendimtare për kualifikim në Botëror iu vështirësua gjithçka.
Romario Ibarra i dha epërsinë Ekuadorit, 1-0, që në fillim të ndeshjes.
Mirëpo, shpejt në skenë hyri Lionel Messi për të shënuar hat-trick dhe me tre pikët e fituara nga ndeshja Argjentina arriti të kualifikohet në ndeshjen e fundit kualifikuese nga zona jugamerikane për në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, duke fituar 1-3.
“Me rëndësi është që të jemi bashkë dhe Argjentinës t’i ecë mbarë. Nëse jemi bashkë, do të jetë shumë më lehtë,” ka thënë superylli argjentinas, Lionel Messi, pas kualifikimit.
Argjentina ishte në rrezik të mbetet pa Kampionat Botëror, për herë të parë që prej vitit 1970. E se sa vështirë është të fitosh në nivele të larta mbidetare, tregon fakti që Argjentina nuk ka shënuar fitore në Ekuador që nga viti 2001.
Përveç Argjentinës, Brazilit (të kualifikuar më heret) iu bashkangjit edhe Uruguaji që mposhti Bolivinë 4-2, ku shënuan Martin Caceres, Edinson Cavani dhe dy herë Luis Suarez.
Ndërsa Kolumbia me barazim ndaj Perusë siguroi plasmanin direkt si ekip i fundit nga zona jugamerikane, derisa Peruja do të luajë barazh me një ekip që vjen nga Oqeania.
Natë dëshpëruese ishte për Kilin, që u mposht nga Brazili i kualifikuar 3-0 (Paulinho, Jesus x2) dhe mbeti pa Kampionat Botëror.