GJILANI - PRISHTINA
Për të njëmbëdhjetën herë, Prishtina kampione e Kosovës!
16 May, 2021 @16:55
Për herë të njëmbëdhjetë në histori të klubit dhe për herë të parë që nga sezoni 2012/2013, FC Prishtina është kampione e Kosovës në futboll.
Titullin në kryeqytet e ktheu kryetrajneri shkupjan Zekirija Ramadani, e titulli matematikisht u vulos sot, një xhiro para fundit, pasi Prishtina e mposhti 1-2 (Arbër Çyrbja 57’ / Gledi Mici 15’ (P), Qëndrim Zyba 40’) Gjilanin.
Duke shënuar dy herë gjatë pjesës së parë përmes Gledi Micit e Qëndrim Zybës, festa prishtinase filloi herët.
Gjilanasit e ngushtuan epërsinë duke shënuar me Arbër Çyrbjën në minutën e 57’, por Prishtina e menaxhoi mirë epërsinë në pjesën e mbetur të ndeshjes, për t’u larguar me 3 pikë dhe me titull të siguruar nga Gjilani.
Si kampione e Kosovës, Prishtina do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet për Champions League sezonin që vjen, kurse Gjilani i Ismet Munishit tash e sa kohë është i qetë në mesin e tabelës.
Ndeshjen e fundit të sezonit, Prishtina e luan ndaj Ballkanit në shtëpi, kurse Gjilani i shkon Besës.