DEKLARATA PAS NDESHJES: RAFET PREKAZI
Prekazi: Gabimet e pjesës së parë, ndikuan
9 November, 2017 @21:52
Përzgjedhësi i Kosovës U21, Rafet Prekazi, ka vlerësuar se gabimet e pjesës së parë ndikuan në epilogun përfundimtar të ndeshjes, të cilën Kosova e humbi ndaj Izraelit sonte në Mitrovicë.
“Edhepse ishte një ndeshje e mirë e jona, mendoj se disa gabime amatoreske në pjesën e parë ndikuan në rezultat,” ka thënë fillimisht Prekazi, për mikrofonin e Supersportit pas ndeshjes.
Gjithsesi, ai ka shtuar se ky ekip jep shpresa për të ardhmen dhe ka shtuar se ekipi nuk duhet të dëshpërohet nga rezultati i sontëm.
“Nuk duhet të dëshpërohemi me rezultat, pasi që kemi ekip të mirë dhe kemi shumë ndeshje përpara nesh,” ka shtuar ndër të tjera përzgjedhësi.
Kosova U21 është mposhtur 0-4 nga Izraeli U21 sonte, për të pësuar herën e parë si vendas, ndërsa humbjen e tretë në grup, krahas 2 fitoreve që i ka.
Më 14 nëntor, Kosova U21 është mysafire e Azerbejxhanit U21, që s’ka asnjë pikë të fituar deri më tani në Grupin 5 kualifikues për Europianin U21, Italia 2019.