KRYETRAJNERI I FERONIKELIT
Ramadani: Maksimumin për rezultat
8 July, 2019 @14:19
Trajneri kampion i Feronikelit, Zekirija Ramadani, ka dhënë një deklaratë për faqen zyrtare të klubit para ndeshjes së nesërme me ekipin e tij.
Feronikeli është mysafir i kampionit të Uellsit, TNS, në kuadër të raundit të parë kualifikues për Ligë të Kampionëve. Feronikeli triumfoi në raundin preliminar, për të arritur këtu.
“Ekipi ishte e lodhur nga udhëtimi, prandaj dje bëmë një stërvitje të lehtë, kurse sot jemi më të çlodhur dhe stërvitjen do ta zhvillojmë në kohën kur edhe do të fillojë ndeshja të martën, në orën 19:00 (ora 20:00 me kohën tonë),” ka thënë Ramadani.
“Jemi akomoduar mirë, kushtet janë shumë të mira, në një hotel me pesë yje dhe tani ndihemi më të çlodhur,” ka treguar ai për kushtet e ekipit.
Ndërsa ka treguar edhe për mundësitë e ekipit, që mëton rezultat para ndeshjes së kthimit.
“Duam ta japim maksimumin për një rezultat pozitiv, pasi që do të ishte shumë më mirë për ndeshjen e kthimit. Fusha ku do të zhvillohet ndeshja është me bari artificial, por shpresoj që nuk do të jetë problem, pasi që edhe gjatë javës në Kosovë kemi stërvitur në fushë artificiale”, ka përfunduar ai.
Ndeshja mes The New Saints dhe Feronikelit fillon prej orës 20:00 me kohën tonë, më 9 korrik 2019.