COPA 2019: ARGJENTINA - KILI 2-1
Argjentina e bronztë, e Messi përjashtohet në fitore
7 July, 2019 @13:40
Lionel Messi është përjashtuar për herë të dytë në tërë karrierën e tij si futbollit, derisa Argjentina ka mposhtur Kilin 2-1 në përballjen që përcaktoi fituesin e medaljes së bronztë në Copa America 2019.
Para finales që zhvillohet sonte në Rio De Janeiro, ku Brazili luan ndaj Perusë, Lionel Messi asistoi në golin e parë të Argjentinës të shënuar nga Sergio Aguero (12’), ndërsa Paulo Dybala (22’) shënoi për 2-0.
Messi u përjashtua nga ndeshja pas një dueli me kilianin Gary Medel, derisa nga shumëkush u quajt si përjashtim tendencioz i referit paraguajan Mario Diaz de Vivar.
Sidoqoftë, kjo nuk i bëri shumë telashe argjentinasve, të cilët në pjesë të dytë pranuan një gol, kur Arturo Vidal (59’) shënoi nga penalltia për 2-1, që doli të jetë përfundimtare.
Bashkë me Messin, edhe Medel u përjashtu në minutën e 37-të të ndeshjes, që detyroi ekipet të luajnë pjesën e mbetur të ndeshjes me nga 10 lojtarë.
Sa i përket referit, deri në fund të përballjes ai ndau edhe 7 kartonë të verdhë përveç të kuqeve të përmendura.
Pas ndeshjes Messi pati kritika në referim dhe organizim, si asnjëherë më parë në karrierën e tij.