DITARI NR 3 @ EURO2016
Rënia e Perandorit!
Shkruan: Luan MORINA
13 June, 2016 @11:43
LUKA
Volkan Sen është dënuar me pesë muaj moslojë në garat ekipore evropiane pasi në ndeshjen e Fenerbahçes (ekip i njohur për manipulime sportive*) s’pati lë askënd pa goditur në ndeshjen kundër Bragës. Nuk e kishte larg as dje të skuqej, ngjashëm si Tosuni.
Atë që nuk e kuptoj nga Fatih Terim është pse këtë të fundit e nis para Yilmazit, e Senin e fut si zëvendësim të parë duke çrregulluar lojën e Turqisë në total në pjesën e dytë. Në fakt, e kuptoj Terimin pasi ka ego ‘perandori’ siç edhe e quajnë – dëshiron të zbuloj gjëra që ti mbeten bëma të tij dhe askujt tjetër. Kjo rezultoi me bumerang dhe ndoshta edhe eliminim nga kjo garë.
Nuk mundesh të krijosh shumëçka kundër mesfushës së Kroacisë e cila megjithatë di të jetë më e kompletuar, më e përkryer. Është mëkat që ky ekip nuk performon në maksimum. Kanë potencial për të bërë shumë më shumë, për të qenë dominues dhe të mposhtin dikë me lojë të turqve me katër-pesë gola epërsi. Megjithatë mbesin vetëm në një, pak edhe për shkak të fatit.
Ego të ngjashme me Terimin ka edhe Turan. Ka pushuar një vit (në pranverë ka qenë veq hije) vetëm e vetëm të jetë pjesë e Barcelonës. Rakitic është ai që po i zë vendin, edhe dje e dëshmoi se meriton të luaj edhe si portier para Turanit.
Kroacia ka potencial për më shumë. Turqia mund të bëj më shumë, ama jo me ego dhe frizura të Ozan Tufanit i cili u ‘fotografua’ për merak nga Luka.
LEWA
Në rast se nuk shënon mund edhe të humbasësh. Francezët dhe Uellsin shpëtuan, por jo anglezët. Polonia dominoi fund e krye. Nejse, nuk është befasi të dominosh kundër Irlandës së Veriut e cila kishte gjashtë mbrojtës në fushë. Nuk është kjo arsye pse Lewandowski nuk arriti të shënoj. Në fakt ai mund të shërbej një karrem i shkëlqyeshëm për kundërshtarët duke i mundësuar hapësirë krahëve të mesfushës, Kapustka ishte i hatashëm, dhe Milikut për të shënuar. Vetëm se këta duhet të shënojnë pasi në këtë kampionat çdo gol është i vlefshëm.
Polonia shfaqi një lojë të bukur, por nuk ishin vrasës, vendimtar dhe kjo mund tu kushtonte. Mund tu kushtoj në ndeshjet e radhës.
MUSTAFI
Ngjashëm edhe gjermanët nuk ishin vendimtar në shënime. Vonë e mbyllën ndeshjen dhe ishin ndoshta me fat pasi kishin një Ukrainë të papërvojë në këso garash. Ideja e Lowit për të luajtur me 9sh fals është ide e plakur dhe e mbetur në dekadën e kaluar. Muller dhe Ozil nuk po shfrytëzohen në maksimum, si dhe Draxler nuk është Reuss. Gomez para Gotzes si sulmues, 1001 herë nga 1000 herë! Edhe Gjermania ishte nën aftësitë e tyre. Pos mbrojtjes. Mustafi dhe Boateng ishin loqkë!
Ukraina ka talente. Më kujtonin në masë të madhe Dinamon e Kievit të vitit 1998të. Më pëlqeu fakti që u angazhuan më të rinjtë për të fituar përvojë, dhe duke pasur parasysh që kanë heq qafe favoritin e grupit me vetëm dy gola, ndeshjet e radhës do të jenë më të lehta dhe me më pak presion psikik. Sidoqoftë, kanë të ardhme të ndritur. Çerekfinalja në Rusi nëse vazhdojnë me këtë ritëm nuk do të ishte befasi.
E HANE
Edhe Spanja, ngjashëm si Gjermania do të shfaq fytyrën e vërtetë në këtë garë pas lemzës ndaj Gjeorgjisë. Besoj që do të jenë si gjermanët edhe pse nuk janë aq të mirë në letër. E as në fushë.
Irlanda dhe Suedia do të jetë lojë e hapur pa shumë kalkulime. Ndoshta, pasi që kualifikimi i të tretave po i bën ekipet më të ngurrëta të rrezikojnë me lojë të hapur dhe golaverazh të thellë negativ.
Ndërkohë Belgjika, kampionët e këtij edicioni sipas mendimit tim, do të ketë sfidën e parë të madhe. Këtu do të tregojnë se a janë për kampionë apo vetëm për aventurë!