FENERBAHÇE
Rikthejnë trajnerin kampion
14 December, 2018 @11:10
Rezultatet më të dobëta në fillim të stinorit ndonjëherë në histori të klubit, bën që Fenerbahçe të largojë Philip Cocun trajner, që e kishin angazhuar në verë të këtij viti.
Dhe derisa ekipi ishte në kërkim të trajnerit të ri, për verdhekaltërit u përkujdes ndihmësi i Cocusë, Erwin Koeman.
Sot, Fenerbahçe zyrtarizoi trajnerin e ri të skuadrës, me të cilin ka nënshkruar kontratë 1.5 vjeçare - turkun Ersun Yanal.
Yanal ka qenë njeriu më i kërkuar te ekipi nga Stambolli, pasi që veç kryesisë atë e deshën edhe tifozët e shumtë të skuadrës, ngase ai e kishte bërë ekipin kampion për herë të fundit 2013/14.
Fenerbahçe është aktualisht në pozitën e parafundit të renditjes tabelarë në Superligën turke. Ekipi ka vetëm 14 pikë nga 15 ndeshje të zhvilluara deri më tani. Kryesuesi i ligës, Basaksehir, ka 33 pikë.
Në anën tjetër, nga Grupi D i Europa Ligës Fenerbahçe ka siguruar pranverën evropiane. Kanarinat kanë përfunduar në vend të dytë të grupit me 8 pikë, një më shumë sesa Spartak Trnava.
Përndryshe, nga hera e kaluar kur ka qenë trajner i Fenerbahçes, Yanal 56 vjeç, ka pasur bilanc impresiv me skuadrën duke regjistruar 14 fitore, 3 barazime dhe asnjë humbje në 17 ndeshje të zhvilluara si vendas me ekipin.
Trajneri i ri i ekipit do të debutojë të hënën në përballjen që Fenerbahçe e zhvillon në Sukru Saraçoglu ndaj Erzurumsporit.