BILETAT DHE STËRSHITJA
Stërshitja nis menjëherë
8 October, 2018 @23:20
Ka filluar menjëherë stërshitja e biletave për ndeshjen e Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve ndaj Maltës.
Në portalet e shit-blerjes që tash, vetëm disa orë pas daljes në shitje të biletave, mund të gjenden biletat për këtë ndeshje me çmime prej 20 deri në 25 euro për copë, të cilat në pikat shitëse kushtonin 3 deri në 5, e 10 euro.
Përndryshe, shitja e biletave në pikat e shitjes në Prishtinë ka kaluar me ndërhyrje të Policisë së Kosovës, pasi që turma e blerësve filloi të acarohej nga rendi i gjatë dhe i parregullt i krijuar para dyqaneve ku shiteshin ato.
Të rrahura, arrestime, gaz si dhe ndërprerje të shitjes janë raportuar sot, derisa Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përkundër kritikave të mëdha për këtë lloj shitjeje nga ndeshja e muajit të kaluar ndaj Ishujve Faroe, ka vazhduar me avazin e njejtë.
Hapja e shumë pikave të shitjes në çdo qytet të Kosovës, ose krijimi i një portali online për shitje të biletave nga FFK-ja, sikurse ka bërë FSHF-ja në dy vitet e fundit, propozohet të jetë zgjidhja më e mirë.