SUPERCOPA

Eduard Omedes/Mundo Deportivo
Superkupa vjen, Barça nuk bind
29 August, 2013 @8:29
Pritjet e mëdha për ndeshjen e kthimit të Superkupës së Spanjës pas barazimit 1-1 në Vicente Calderon, mbrëmë nuk u arsyetuan. Edhe pse për herë të parë dyshja Lionel Messi - Neymar ia filloi ndeshjes nga minuta e parë, Barcelona u ndalë nga mbrojtja agresive e Atletico Madridit.
Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, qëlloi shtyllën nga penalltia në minutën e parafundit të takimit, pasi që më parë Pedro Rodriguez ishte rrëzuar në zonë nga mbrojtësi brazilian i Atleticos, Miranda.
Në fakt turku Arda Turan në pjesën e parë dhe ish sulmuesi i Barcelonës, David Villa, në pjesën e dytë patën rastet më të mira në ndeshje për Atleticon - por shutat e tyre u bllokuan mrekullisht nga portieri Victor Valdes, që ia siguroi Barcelonës trofeun e katërt të Superkupës në pesë vitet e fundit.
Rreth minutës së 80-të Atletico mbeti me 10 lojtarë pasi që Filipe Luis u përjashtua nga gjyqtari i ndeshjes, për shkak të goditjes ndaj Dani Alvesit në hapësirë pa top. Kurse krejt në fund, Arda Turan, edhe pse ishte në bankën rezervë, gjithashtu u ndëshkua me karton të kuq nga referi kryesor, për shkak të ofendimeve ndaj anësorit.
Video
Penalltia
Lionel Messi qëllon shtyllën nga penalltia në minutën e parafundit të takimit