TIRANA 5-1 PARTIZANI
Tirana vishet bardhekaltër, lideri demolon kampionin
28 February, 2020 @21:21
Tirana ka fituar derbin e madh të kryeqytetit të Shqipërisë, duke e demoluar Partizanin, që është kampion aktual, me fitore të thellë 5-1 [Idriz Batha 14p, 19p, Hektor Idrizaj 62ag, Ernest Muçi 81, 90 - Willam Cordeiro 2].
Partizani e nisi ndeshjen në mënyrë fantastike. Pas sulmit të parë, ku mbetën duke kërkuar penallti, që në sulmin e radhës të kuqtë shënuan. Ka qenë Cordeiro që i ka dhënë epërsinë 0-1 ekipit të drejtuar nga Adolfo Sormani.
Por shpejt ndërron krejtësisht baraspesha në terrenin e ngrohtë të Air Albanias. Dyluftimi i Enea Bitrit të Partizanit dhe argjentinasit të Tiranës, Agustin Torassa, bën penallti për të kaltërit dhe karton të kuq për Bitrin!
Idriz Batha u tregua i saktë nga 11 metërshi për 1-1 dhe këtu gjithçka shkoi ters për kampionin. Batha edhe njëherë shënoi nga penalltia për 2-1, vetëm disa minuta më vonë, pasi që Bruno Telushi ndërhyri te Elton Cale.
Ekipet kështu shkojnë në pushim, ndërsa tentimet jo të sakta të Partizanit në fillim të pjesës së dytë ndëshkohen me autogol, e Tirana avancon 3-1.
E më pas, trajneri i Tiranës nxjerr nga loja Michael Ngo’o-në për ta futur në lojë të riun Ernest Muçi. E ky, shfryrtëzoi mundësinë e dhënë për mrekulli, pasi që në 15 minutat e fituara nga trajneri Emmanuel Egbo shënoi dy herë për përfundimtaren 5-1.
Fitorja e çon Tiranën 9 pikë mbi Partizanin dhe për momentin 5 mbi Kukësin ndjekës. Për kampionin aktual tashmë duket e vështirë mbrojtja e titullit, derisa për trofeun më të çmueshëm të futbollit në Shqipëri do të ketë dyluftim - mes Tiranës e Kukësit.