KOLUMNE
Top ndeshjet e fundjavës!
Shkruan: Luan MORINA
23 November, 2018 @12:35
TOP 5 duelet e fundjavës nën llupën e Luan Morinës, që parashikon duelet më interesante për këtë vikend.
1. Fulham - Southampton (e shtunë, ora 4)
Në pesëmbëdhjetë ndeshjet e këtij sezoni në Premier League dhe Carabao Cup, Slavisa Jokanovic ka aktivizuar 29 lojtarë. Në mesin e tyre kanë qenë të tre portierët dhe pesë lojtarë nga ekipi rezervë. Dhe përkundër 100+ milionëve të shpenzuar gjatë verës, nuk ka arritur të rehatojë Fulhamin në stilin e Wolves.
Asnjërën nga pesëmbëdhjetë ndeshjet nuk e ka nisur me të njëjtin formacion, dhe gjithë këto eksperimente pësuan me shkarkimin e tij.
Tash, në Premier League kthehet trajneri që ka bërë mrekulli. Qëllimi është i njëjtë – mbijetesa. Është budallallëk të mendohet në një mrekulli tjetër, por, ia vlen të shohim këtë përballje të drejtpërdrejtë të dy ekipeve që synojnë mbijetesën. Tekefundit duhet të nisim vikendin me diçka!
2. Tottenham – Chelsea (e shtunë, ora 6e30)
Dy super-trajnerë që kanë bërë gjëra të pazakonta në Premier League. Pochettino tenton të rrezikoj titullin duke mos investuar asnjë cent në një sezon, me së paku katërfish më pak investime gjatë krejt kohës së tij në Tottenham në krahasim me trajnerë kampion që për dy sezone kanë kaluar 1 miliardë euro blerjesh.
Ndërkohë pas ‘mrekullisë’ së Contes, i cili e la Chelsean gati aty ku e mori, Sarri provon ta bëj një mrekulli të njëmendtë dhe atë duke ofruar lojë të bukur për sy krahas rezultateve. Duhet të jetë ndeshja më e mirë e vikendit kjo.
3. Atletico – Barcelona (e shtunë, ora 15n9)
Kjo mund të ishte ndeshja më e mirë e vikendit sikurse Diego Simeone të kishte një qasje ndryshe në ndeshjet ku Atletico është ekipi më i dobët. Gjithnjë kundër Barcelonës dhe Realit të Madridit, Atletico aplikon lojë të ashpër fizike duke vrarë kreativitetin e kundërshtarit, por edhe të tyrin, sado i vogël që është.
Këtë vit, Atletico ka gjasa reale të rrezikojë Barcelonën për titull. La Liga është bërë një lëmsh i këndshëm për shikuesit, por të gjithë e dimë që në fund të sezonit këto dy ekipe mund të sfidohen vetëm nga Reali i Madridit. Kjo s’do të thotë që mos ta shijojmë këtë rrugëtim, shpresojmë edhe me futboll të bukur përfshirë në këtë duel.
4. Bournemouth – Arsenal (e diel, ora 2e30)
Dy trajnerë që po shfaqin lojë të bukur vijnë përballë një sfide që mund të jetë nga befasitë më të mira të vikendit. Krejt kjo derisa ata nuk vendosin të tërhiqen një hap mbrapa për të taktizuar kundrejt lojës së bukur.
Arsenali ka sjellë një filozofi dhe qasje të re ndaj lojës, ndërkohë Howe vetëm sa ka përsosur veten gjatë këtyre katër sezoneve në Premier League.
David Brooks është talenti i dytë më i mirë që ka shkelur në Premier League këtë vjeshtë (i pari është James Maddison).Është përshtatur për merak në formacionin stabil të Howe.
Ndërkohë talenti më i mirë i Arsenalit është në Bundesliga! Reiss Nelson po kalon një sezon po aq të mirë sa Jadon Sancho. Në minutat që i jep Julian Nagelsmann, Reiss gjen golin, me driblime të mahnitshme! Është njëri ndër emrat që kanë mbetur padrejtësisht në hije.
Ndërkohë që të dy këto ekipe në gjashtë përballjet e tyre asnjëherë nuk kanë mbyllur ndeshjet me më pak se dy gola në total. Dy nga gjashtë ndeshjet kanë pasur tre gola, me dy tjerat të përfunduara me katër dhe gjashtë gola! Rrebesh golash është rezultat i pritur nga ky duel.
5. Lazio – Milan (e diel, ora 6)
Do të jetë interesante të shohim si do të përballojnë rossonerët muajt e ardhshëm. Bonaventura ka përfunduar sezonin; Biglia – truri i ekipit – kthehet në fund të shkurtit; Romagnoli– kapiteni – mungon deri në festa; Caldara ende nuk ka debutuar siç duhet falë atij lëndimi misterioz, ndërkohë Musacchio u kthehet vetëm pas pushimit dimëror. Mbi krejt këto, Higuain mungon në dy ndeshje, ndërsa Strinic dhe Conti nuk dihet a do të jenë në dispozicion. Shtoja kësaj edhe parehatinë e Calabrias dhe Çalhanoglut, dhe gjithçka mbetet në duart e kapitenit Zapata!
Tabela gënjen për Milanin. Pozita e katërt, rezultate pozitive mund të shihen në letër, por loja e Milanit në fushë ka qenë nën nivelin e një ekipi që meriton Ligën e Kampionëve. Dihet që ekipet që fitojnë ndeshjet ku nuk luajnë mirë fitojnë tituj (në këtë rast pozitën e katërt), por kjo nuk është tek Milani.
Ngjashëm edhe Lazio, lufton për pozitën e katërt. Por, janë ekip më serioz se Milani. Acerbi nuk ka munguar asnjë minutë duke u kthyer në shtyllën e mbrojtjes; Immobile ka shënuar nëntë gola e pesë asistime duke u aktivizuar në çdo ndeshje, e Parolo ka munguar në vetëm një ndeshje duke shënuar pesë gola deri tani. Si rrjedhojë, Milinkovic-Savic e Luis Alberto kanë mbetur në plan të dytë. Ky i fundit me ardhjen e Correas. Berisha ende nuk ka gjetur formën e duhur, por ka nisur të përshtatet gradualisht në ekipin e kryeqytetit pas lëndimit të tij.