SOUTHAMPTON - TOTTENHAM

Tottenhami dështon për të katërtën rresht
9 March, 2019 @17:48
Gëzimi për faktin që shumë shpejt do të luajnë në stadiumin e tyre të ri dhe momentumi i fituar pas triumfit ndaj Dortmundit në Champions League në mesjavë nuk kanë qenë të mjaftueshëm që Tottenhami ta fitojë takimin e luajtur sot ndaj Southamptonit në Premier League.
Skuadra e drejtuar nga Pochettino, me këtë të fundit që sot ishte i dënuar të qëndrojë në tribuna, zhvilloi një pjesë të parë fantastike, por shënoi vetëm një herë, gjë që iu revanshua në pjesën e dytë, me Southamptonin që zhvilloi një pjesë të dytë fenomenale dhe arriti ta fitojë ndeshjen me përmbysje.
Kjo është hera e katërt rresht që Tottenhami po dështon të fitojë në Premier League, ecuri që mund t’ia rrezikojë vendin e tretë në xhirot në vijim, ndërsa për Southamptonin kjo mund të jetë një fitore vendimtare në luftën për mbijetesë.
Në ndeshjet tjera të ditës në Premier League deri më tash, Crystal Palace u mposht 1-2 nga Brightoni, Newcastle fitoi me përmbysje 3-2 ndaj Evertonit, Rodgers e arriti fitoren e parë me Leicesterin në takimin e luajtur ndaj Fulhamit në shtëpi, ndërsa me rezultat 2-0 fituan edhe Bournemouthi e Cardiffi.