VENDIMI I KG-së
Trepça humb ndeshjen në tavolinë
27 February, 2019 @19:00
Komisioni i Garave (KG) i FFK-së ka bërë të ditur se ndeshja Trepça - Fushë Kosova, që u fitua nga Trepça në fushë të lojës 2-1, është regjistruar 0-3 në të mirë të Fushë Kosovës pas Vendimit të KD-së.
“Me rastin e regjistrimit të ndeshjes Trepça - Fushë Kosova, KG ka konstatuar se Fushë Kosova ka ushtruar ankesë në parregullësinë e paraqitjes në protokoll të lojtarit të Trepçës me nr. 14, Valmir Azemi, për shkak se lojtari është aktivizuar por nuk ka qenë i shënuar në protokollin e ndeshjes,” ka shënuar në arsyetimin e KG-së botuar sot.
“KG ka vërtetuar se lojtari i lartpërmendur është aktivizuar në minutën e 63-të të ndeshjes, që në faqen e parë të protokollit nuk është i shënuar, kurse në faqen e dytë figuron emri i tij te rubrika e ndërrimeve. Nga kjo saktësohet se lojtari nuk ka qenë i shënuar në protokoll por është aktivizuar në lojë pa të drejtë,” shkruan më tej aty.
Kjo është shkelje e Nenit 76 të Rregullores së Garave paragrafi 1 dhe ndeshja i regjistrohet në favor të Fushë Kosovës, pasi që ekipi i Trepçës ka aktivizuar lojtarin që nuk është shënuar në protokoll.
Ky trepikësh ka nxjerrë Fushë Kosovën për momentin nga zona e rrezikshme e Ligës së Parë, duke e çuar në pozitën e 12 me 17 pikë.