VENDIMI I KD-së
Ulpiana bëhet lidere pas vendimit të KD-së
21 April, 2021 @12:11
Skuadra nga Lipjani, Ulpiana, është rikthyer në krye të Ligës së Parë B të Kosovës, pasi që fitoi ndeshjen në tavolinë ndaj Ferizajit 0-3.
Kjo ndeshje ishte ndërprerë në minutën e fundit të takimit (90+4), derisa pas lëndimit të një lojtari të Ferizajit, një shikues kishte hyrë në fushë të lojës dhe kishte sulmuar referin e ndeshjes.
Ulpiana në atë moment ishte në epërsi 0-1 dhe ndeshja thuajse kishte marrë fund, por sulmi ndaj referit bëri që gjithçka të paqartësohet.
“Ndeshja e ndërprerë ndërmjet KF Ferizaj dhe KF Ulpiana regjistrohet me rezultat zyrtar 3-0 në favor të KF Ulpiana,” — ka shkruar vendimi i Komisionit Disiplinor të FFK-së.
“Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF Ferizaj – KF Ulpiana, java e 23-të, Liga e parë, Grupi ”B”, pas administrimit të të gjitha provave konstatoi se ndeshja është ndërprerë në minutën e 90+4, për shkak të sulmit fizik ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes nga një person i paautorizuar (shikues), duke e paaftësuar për vazhdimin e ndeshjes, andaj konform nenit 58 të Rregullores së Garave, ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 0:3 në favor të KF Ulpiana,” – shkruan në arsyetim të këtij vendimi.
Me këtë fitore, Ulpiana rikthehet në pozitë të parë të renditjes tabelare të Ligës së Parë B.
Në xhiron e radhës, Ulpiana pret skuadrën e KEK-ut, ku mysafirët po luftojnë për mbijetesë dhe do ta kenë mjaft vështirë të ndalin skuadrën që po drejtohet suksesshëm nga trajneri Fadil Ademi.