VUSHTRRIA 3-1 DUKAGJINI
Vushtrria befason Dukagjinin, që mposhtet pas 19 xhirosh!
1 May, 2021 @17:42
Skuadra e fundit në renditjen tabelare të Ligës së Parë A, Vushtrria, ka befasuar liderin e derisotshëm të kësaj lige, Dukagjinin, duke e mposhtur me rezultat 3-1 [Drilon Fazliu 65, 85, Gentian Sahiti 90+5 - Erblind Mulaj 70] pas një loje tejet të mençur të treguar në Ferki Aliu sot.
Të drejtuar nga Ilir Izmaku, vushtrriasit kanë arritur të qetësojnë mysafirët në pjesë të parë dhe të sigurojnë 0-0. E në pjesë të dytë të udhëhequr në fushë nga kapiteni Drilon Fazliu janë treguar tejet të rrezikshëm dhe kanë avancuar në mes të saj.
Më pas, një krosim i rrezikshëm i Altin Merlakut ka gjetur Erblind Mulajn syçelë në shtyllë të dytë për të shënuar për barazim (70).
Por, hedhja e plotë në sulm nga ekipi i Armend Dallkut i kushtoi shtrenjtë sot. Drilon Fazliu krejtësisht i lirë i ka ikur mbrojtjes së Dukagjinit për të shënuar me parabolë për 2-1 (85), ndërsa krejt në fund vulën ndeshjes ia dha Gentian Sahiti me një goditje nga e djathta në kënd të portës së Altik Muhaxhirit për përfundimtaren 3-1, në minutën e parafundit të kohës shtesë të ndeshjes (95).
Humbja rrëzon Dukagjinin nga kreu i Ligës së Parë A. Kjo ka qenë humbja e parë e klinasve që prej tetorit të vitit të kaluar, ose pas 19 ndeshjesh.
Kurse në anën tjetër Vushtrria 2 xhiro para fundit të stinorit mbetet ende me shpresa për mbijetesë.
Dukagjini në anën tjetër, që do të luajë edhe finalen e Kupës së Kosovës në mes të këtij muaji ndaj Llapit, në dy xhirot e fundit do të duhet të fitojë, ndërsa të pret në gabim të Malishevës — në të kundërtën do të duhet të kërkojë Superligën përmes barazhit.