SUPERLIGA

Vushtrriasit mbesin liderë
14 September, 2013 @18:03
Djelmoshat e Ismet Munishit po i tregojnë gjithnjë e më shumë ‘dhëmbët’ e tyre. Ata sot me një lojë të sigurtë dhe të furishme para portës së Flamur Nezirit, kanë shënuar tre herë në pjesë të parë për fitoren e radhës së tyre.
Në pjesën e dytë Semir Zeneli ka shënuar edhe njëherë pesë minuta para përfundimit të takimit për të përcaktuar rezultatin përfundimtar prej 4-0 në të mirë të vushtrriasve. Fushë Kosova përkundër se u mundua për të bërë diçka më shumë në pjesën e dytë, nuk arriti assesi të depërtonte mbrojtjen e fortë të Llamkosit.
Hysi, pas fitores ndaj Prishtinës si mysafir ka vazhduar me formë të mirë duke e mposhtur edhe nënkampionin aktual, Trepçën 89. Fiton Hajdari në minutën e 39-të të takimit dhe Sadri Hajdari me autogol në pjesën e dytë i kanë dhënë llapjanëve fitoren e radhës në Superligë.
Vlen të theksohet se në këtë ndeshje janë huqur dy penallti, njërën ka dështuar ta shënojë Mentor Zhdrella për Hysin, ndërsa tjetrën Trepça 89.
Besa në anën tjetër është kthyer me gjah të plotë nga Drenica. Pejanët kanë arritur fitore tejet të rëndësishme në një vend ku vështirë fitohen pikë si mysafir. Ka qenë Mensur Duraku që ka shënuar golin e parë për pejanët në fund të pjesës së parë, derisa Egzon Gashi ka vulosur fitoren e pejanëve pesë minuta para përfundimit të takimit në Drenicë.
Rezultatet dhe tabela aktuale.