TEAM OF THE HALFSEASON 18/19
11-shja e pjesës vjeshtore (mesfushori më i mirë i krahut II)
27 December, 2018 @20:06
Cilët lojtarë treguan formën më të mirë në 17 xhirot përkatëse? Cilët u dalluan më së shumti?
Për t’i vënë “kapak” këtyre pyetjeve, si redaksi jemi munduar ta bëjmë përzgjedhjen tonë të 11 lojtarëve me rendimentin më të mirë në kampionat, përgjatë stinorit vjeshtor që posa e lamë pas.
Formacioni do të përmbajë skemën 4-2-3-1, ndërsa në vazhdim, ditë pas dite do t’i publikojmë dhe do të mundohemi t’i arsyetojmë përzgjedhjet tona.
Mesfushori më i mirë i krahut (II): Festim Alidema
Njëri ndër golashënuesit më të mirë të pjesës vjeshtore të stinorit. Ndoshta edhe zbulimi i vitit. Arsyetoi plotësisht besimin kur Llapi e kishte siguruar atë nga Vllaznia e Pozharanit.
Përtej golave, Festim Alidema ai shpërtheu edhe në dimensione tjera. Shënoi me dy këmbë, tregoi se mund të zhbllokojë rezultatin në çdo moment dhe nuk njeh distancë për të shënuar.
Gjithashtu, ai ishte njëri ndër më të goditurit në fushë, duke bërë që gjyqtarët të vërshëllenin jo pak faulime në favor të tij. Me gjakftohtësi iu çasë shumë ndeshjeve.
Lëvizjet e tija në fushë rezultuan efikase për llapjanët, ku nuk u ndal së prodhuari aksione për gola.
Me pak fjalë, një rrezik permanent për skuadrat kundërshtare dhe një garanci e madhe që do të jetë lojtari vijues që do të kapërcejë kufirin e futbollit kosovar, për tu testuar në ndonjë kampionat ndërkombëtar.