KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: G.P
30 April, 2021 @16:00
Një tjetër fundjavë futbollistike mes dy mesjavëve me ndeshje evropiane.
Skuadrat që janë ende në Evropë, këtë fundjavë kanë ndeshje mjaft të rëndësishme edhe në ligë.
1. Chelsea - Fulham (e shtunë, 18:30)
Pas barazimit ndaj Realit në Spanjë dhe disa ditë para ndeshjes kthyese ndaj Realit në Londër, Chelsea përballet me Fulhamin në Premier League. Nëse shohim garën e ngushtë për top-katër dhe gjithashtu situatën në të cilën gjendet Fulhami në garë për mbijetesë, kjo ndeshje duhet të jetë interesante.
Me shumë gjasë Tuchel do t’i pushojë disa lojtarë për ndeshjen me Realin, por vështirë se do të shohim ndonjë rotacion të madh, pasi që edhe kjo ndeshje është tejet e rëndësishme. West Hami, Tottenhami e Liverpooli janë shumë pranë dhe një fitore ndaj Fulhamit është shumë me rëndësi.
Sa i përket Fulhamit, ata do të tentojnë me çdo kusht të marrin sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura, ndërkohë që shpresojnë në gabimet e kundërshtarëve në mënyrë që të mbesin në ligë. Për dallim nga fillimi i sezonit, skuadra e Scott Parker gjatë pjesës së dytë të sezonit është përmirësuar dukshëm, sidomos në mbrojtje, por përmirësimi erdhi vonë dhe gjasat për shpëtim janë të vogla.
2.. Everton - Aston Villa (e shtunë, 21:00)
Një ndeshje që vendos përballë dy skuadra që kanë pasur një sezon relativisht të kënaqshëm, sidomos në krahasim me sezonin e kaluar. Evertoni është ende në garë për një pozitë që dërgon në gara evropiane, kurse Aston Villa, pa presion, mund t’i krijojë probleme skuadrës nga Merseyside të shtunën mbrëma.
Lëndime gjatë këtij sezoni kanë pasur të dyja, si e gjithë liga, në përjashtim të Manchester Cityt, për shkak që liga filloi vonë dhe para-sezon pothuajse nuk pati fare. E lëndimet, ndër plot faktorë, i zbriten këto dy skuadra nga top 5-shja e renditjes, ku e gjetën veten në një pikë të caktuar të sezonit.
Në rast se Evertoni arrin të kualifikohet për në Europa League, do të ishte një sezon i shkëlqyer për ta, e Aston Villa verës do të duhet të mendojë për përforcime të qëlluara mirë, pasi që dy-tre nga yjet e saj me shumë gjasë do të largohen drejt skuadrave më të mëdha.
3. Sassuolo - Atalanta (e diel, 15:00).
Dy skuadra që luajnë futboll mjaft atraktiv. Ndoshta skuadrat me futbollin më të mirë në Itali.
Në njërën anë, Sassuolo nuk di për humbje në 4 ndeshjet e fundit dhe ende ka gjasa ta arrijë një pozitë që dërgon në Europa League, e në anën tjetër Atalanta, momentalisht në vend të dytë dhe në formë të shkëlqyer.
Me siguri do të jetë një ndeshje me plot gola dhe shumë e shikueshme për futbolldashësit.
4. Manchester United - Liverpool (e diel, 17:30)
Pas fitores bindëse ndaj Romës në Europa League, United të dielën ka punë me Liverpoolin në ligë.
Ndeshja e gjen Manchester Unitedin në formë më të mirë, por për pikë më shumë ka nevojë Liverpooli sesa Unitedi, që vështirë se del nga top-katërshja. Skuadra e Kloppit, pa angazhime në garat evropiane, 5 ndeshjet e fundit në ligë do t’i ketë vendimtare për ta siguruar një vend që dërgon në Champions vitin tjetër. Një fitore ndaj Unitedit në “Old Trafford” do të ishte e mirëseardhur, sidomos për të krijuar momentum për ndeshjet e tjera të mbetura.
Ndonëse 11-shja më e mirë luajti të enjtën, Solskjaer me shumë gjasë nuk do të ndryshojë shumë lojtarë për Liverpoolin pavarësisht lodhjes së lojtarëve. Ndoshta Greenwood në vend të Cavanit, apo Daniel James në vend të Pogba, por ndryshime tjera nuk do të bëjë. Është derbi dhe luhet për fitore.
5. Valencia - Barcelona (e diel, 21:00)
Fundjava futbollistike mbyllet me ndeshjen mes Valencias dhe Barcelonës në Mestalla. Humbja e befasishme e Barcelonës ndaj Granadës të enjtën mbrëma e ka bërë edhe më interesante garën në La Liga. Sikur Barcelona të fitonte ndaj Granadës, titulli do të ishte në dorën e saj, e tash Barcelona duhet t’i fitojë ndeshjet e saj, e të presë që kundërshtarët të gabojnë.
Në garë për titull tashmë mund të thuhet se është edhe Sevilla, por favoritë për titull mbesin treshja e madhe: Barcelona, Reali e Atletico.
Historikisht, udhëtimi në Valencia nuk është asnjëherë i lehtë, por këtë vit Valencia është e katërmbëdhjeta në renditje dhe nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit. Megjithatë, mendoj se do të jetë një takim i fortë dhe jo aq i lehtë sa mund të duket sipas renditjes tabelare.