KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: G.P
30 October, 2021 @9:00
Tjetër fundjavë me plot ndeshje të mira të futbollit!
Le të shohim se çfarë kemi zgjedhur për këtë javë.
1. Leicester - Arsenal (e shtunë, 13:30)
Përballja e dy skuadrave me bilanc plotësisht të njëjtë në Premier League. Të dyja e filluan sezonin jo mirë, por dalëngadalë janë stabilizuar dhe kjo ndeshje i gjen në moment të mirë.
Të dyja fituan ndeshjet përkatëse në Kupën e Ligës në mesjavë, e ecurinë pozitive do ta donin ta vazhdonin edhe në ligë këtë fundjavë.
Leicesterit i ka ndihmuar rikthimi te formacioni me dy sulmues, formacion që pati sukses në fundin e sezonit të kaluar, e londinezëve iu ka ndihmuar rikthimi i formës së Aubameyangut.
Është ndeshja e parë e ditës në top ligat evropiane dhe ia vlen të niset dita me të!
2. Atalanta - Lazio (e shtunë, 15:00)
Dy prej skuadrave të Italisë që gjithmonë prodhojnë gola. Në fakt, e gjithë Serie A dy sezonet e fundit po dhuron shumë gola, por padyshim se në mesin e skuadrave më atraktive në ligë janë edhe Atalanta e Lazio.
Të dyja fituan në ligë në mesjavë e të dyja kanë angazhime në Evropë mesjavën e ardhshme, por është një ndeshje e rëndësishme dhe vështirë se do të shohim shumë rotacione nga trajnerët në fushë.
Për fatin tonë të keq, Vedat Muriqi po luan tejet pak te Lazio dhe largimi duket i pashmangshëm. Do të shohim se ku do të përfundojë golashënuesi më i mirë i Kosovës.
E kjo e së shtunës mund të jetë ndeshje me plot gola!
3. Tottenham - Manchester United (e shtunë, 18:30)
Pas turpërimit nga Liverpooli në “Old Trafford”, u mendua se kjo ndeshje do ta gjente Unitedin me ndonjë trajner tjetër, por jo, United edhe të shtunën në Londër do të drejtohet nga Solskjaer.
Tottenhami, Atalanta dhe Manchester City janë tre kundërshtarët e ardhshëm të Unitedit. Pas tyre, Solskjaer ose do të shkarkohet, ose do t’ia vazhdojë vetes “jetën te United” edhe për disa muaj.
Ndeshjet e Unitedit ndaj Nuno Espirito Santos, gjatë kohës kur ky i fundit ishte trajner i Wolves, kanë qenë kryesisht të bajatashme, por të shohim se si do të shkojë kjo.
Tottenhami këtë sezon është në krizë të shënimit të golave, por këtë javë ka punë me mbrojtjen e Unitedit dhe shënimi i golave mund të mos jetë aq i vështirë.
Raphael Varane është rikthyer në stërvitje të plotë, një lajm pozitiv për mbrojtjen e United, ndërkohë që ndaj Spurs mungon Pogba për shkak të kartonit të kuq që e mori ndaj Liverpoolit.
Te Spurs nuk ka ndonjë mungesë nga formacioni bazë për t’u veçuar.
Është prej atyre ndeshjeve që mund të shkojë në të gjitha drejtimet, por vështirë se do të prodhojë shumë gola.
4. Atletico Madrid - Betis (e diel, 16:15)
Betisi i Pellegrinit është thjesht fantastik. Kjo skuadër ka zhvilluar plot 40 ndeshje gjatë vitit kalendarik 2021 dhe ka vetëm 4 humbje, duke qenë kështu skuadra me më së paku humbje në top ligat evropiane gjatë këtij viti kalendarik.
Këtë fundjavë skuadra nga Sevilla udhëton për në kryeqytet, për t’u përballur me Atletico Madridin. Ky i fundit në këtë takim vjen pas dy barazimeve radhazi në La Liga dhe humbjes nga Liverpooli në Champions. Në këto tri ndeshje Atletico ka pranuar plot 7 gola, gjë që ndodhë rrallë dhe gjë që nuk i pëlqen aspak Simeones.
Kampioni në fuqi i Spanjës po ka probleme të dukshme në goditjet prej ndërprerjeve dhe kjo dobësi do të duhej të përmirësohej për të garuar fuqishëm për titullin kampion.
Momentalisht Betisi ndodhet mbi Atleticon në renditje dhe të shtunën Atleticon e pret një test mjaft i vështirë.
Nuk do të ishte befasi nëse Atletico ndalet për të tretën herë radhazi në ligë.
5. Roma - Milan (e diel, 20:45)
Fundjava futbollistike mund të përmbyllet në mënyrë të shkëlqyeshme me ndeshjen mes Romës dhe Milanit në “Olimpico”. Roma fitoi në mesjavë me përmbysje ndaj Cagliarit, e Milani e mposhti minimalisht Torinon në shtëpi, për të vazhduar kështu të jetë pa humbje edhe pas 10 ndeshjeve të luajtura në ligë.
Mundësia e përfshirjes së Theo Hernandez e Brahim Diaz në këtë ndeshje do të jetë e mirëpritur për Milanin, me dyshen në fjalë që së fundi mungoi për shkak të rezultimit pozitiv me COVID-19. Në anën tjetër, te Roma, përveç mungesës gjithë-sezonale së Spinazzolës, këtë fundjavë mungon edhe Smalling.
A do ta pësojë Milani humbjen e parë të sezonit në Serie A nga Mourinho? Mbetet të shihet këtë fundjavë..