KUSH, ÇKA TREGOI DERI TASH?

Afati i tetorit në La Liga
Shkruan: LUAN MORINA
13 October, 2017 @8:35
Përkundër largimit të Neymarit dhe lëndimit të Dembeles, Valverde ka arritur të manipulojë me formacionin e Barcelonës duke e kthyer në një formë stabile që deri tani po tregon sukses më të vazhdueshëm se krejt kundërshtarët në La Liga.
BARCELONA
Messi dhe Suarez po mbeten si të vetëm para sulmit duke mos u brengosur për mesfushën falë një vije më defensive dhe përkrahëse për sulmin. Nëse ia vlen një lojtar të përmendet tek Barcelona këtë fillim të sezonit atëherë ai është Sergio Roberto. Me kalimin e kohës ai pritet të shndërrohet në një emër kyç në ekipin katalunas për vitet e ardhshme.
Në vazhdim pas pushimit të kombëtareve, Barcelona ka dy udhëtime vendimtare ndaj Atleticos dhe Athleticut për të pritur më pas Sevillan. Më shumë se pesë pikë në këto ndeshje do të krijojnë një epërsi të paprekur në krye të renditjes. Edhe ashtu janë një hap para tjerëve.
Të mos harroj të përmend edhe Deulofeun. Spanjolli nuk ka qenë kurrë përfundues aksioni dhe gjithnjë i ka munguar ajo prekja finale, por nuk ka shumë rëndësi për tek Barcelona kur kanë golashënues në Messin e Suarezin. Angazhimi i Paulinhos dhe zhvendosja në mesfushë e Robertos e kanë larguar nga formacioni.
REAL MADRID
Lëndimet e Marcelos e Theos, tani edhe problemet shëndetësore të Carvajalit veçse do të mundojnë edhe më shumë ekipin e Zidane. Edhe Kovacic edhe Benzema janë në listë e të lënduarve, derisa mungesa e Cristianos ka dëmtuar në fillim kampionët evropian.
Problemi kryesor ka qenë tek përfundimi i aksioneve. Kanë shpërdorur shumë shanse që iu kanë hakmarrë në pikë. Problemin kryesor po e kanë për tu mbrojtur në kundërsulme kur mbeten vetëm me dy qendërmbrojtës dhe Casemiron. Pa këtë të fundit, problemet janë edhe më të mëdha, dhe Zidane ndoshta duhet të mendoj të kaloj në 3-4-3, me tre qendërmbrojtës dhe Marcelon të zhvendosur në mesfushë pas lëndimit. Sidoqoftë, ky është një sezon i zorshëm për Realin!
ATLETICO
Zor e kanë edhe Atletico. Pa një qendërsulmues klasik po humbin shumë shanse për të shënuar. Mesfusha është fantastike, por Simeone dhe qasja e tij shumë defensive po ju prish punë edhe kundër ekipeve më të vogla.
Me ardhjen e Diego Costas do të zgjidhet ky problem, por janari është larg dhe deri atëherë mund të bien edhe nga Liga e Kampionëve.
SEVILLA
Evropa nuk po është shumë e butë këtë vit për spanjollët as në Europa League. Ndërkohë Sevilla përkundër blerjes së Murielit kanë gjetur sulmuesin në Ben Yedder. Mesfusha me Noliton, Navasin, dhe Banegën ka freskuar lojën e Sevillas e cila po arrin të nxjerr maksimumin edhe nga Ganso i cili megjithatë është i prirë për lëndime, ngjashëm si Kjaer. Nuk di sa mund ti rezistojnë Barcelonës, por grupi jo aq i zorshëm në Evropë mund tu ndihmoj.
VILLAREAL, SOCIEDAD & ATHLETIC
Në Evropë nuk po ju ecën Sociedadit e Bilbaos sidomos, por edhe Villarreal nuk po mbetet mbrapa. Kanë pësuar humbje të turpshme derisa të tri këto në tri javët e fundit kanë vetëm një fitore dhe një barazim. Diego Llorente po shkëlqen tek Sociedad, ngjashëm si Xabi Prieto i cili në moshë të vjetër po arrin të shkëlqej. Seria negative e baskëve të Sociedad duhet të ndalet edhe humbjet ndaj Valencisë e Levantes janë për tu brengosur. Kanë një vijë të bukur talentesh të cilët ia vlen ti përcillni më shpesh.
Bilbao pa Munianin e lënduar do ta kenë zor edhe pse kjo jep një shans shtesë për Cordoban. Aduriz akoma po shënon, por jo kur nevojitet më së shumti. Sociedad nuk është në rregull si ekip edhe sulmuesit nuk po funksionojnë mirë në relacion me mesfushën.
VALENCIA
Është fakt i mirë që Valencia është kthyer në formë. Pa humbje, barazime me Atleticon e Realin janë rezultate të shkëlqyeshme në krahasim me vitet e fundit. Gonçalo Guedes e Geoffrey Kondogbia kanë qenë fantastik nga ardhjet e reja. Por, ata që në fakt po shkëlqejnë më së shumti janë Zaza dhe Rodrigo në sulm. Gaya, Vidal, Soler, e Mina janë talente që po kalojnë një formë për mësysh.
BEFASITË
Leganes e Levante kanë befasuar për të mirë deri tani, derisa Alaves përkundër De Biasit do ta ketë problem të mbijetoj. Kanë bërë shumë ndryshime në formacion. Ngjashëm edhe Girona, por të jesh ekip i City Football Group do të thotë të shpëtosh me huazime në janar. Edhe ashtu kanë gjysmën e të huazuarve të Manchester Cityt.
La Liga po kalon një sezon bukur të baraspeshuar deri në këtë afat tetori. Po të mos ishte Barcelona e ndarë në krye do të ishte një ligë tejet interesante. Megjithatë janë edhe tri pozita për të luftuar. Me katër fitore radhazi, Barcelonën duhet ta shpallim kampione qysh para festës së flamurit tonë.