KUSH, ÇKA TREGOI DERI TASH?

Afati i tetorit në Serie A
Shkruan: LUAN MORINA
12 October, 2017 @13:46
Për momentin nuk po duket si Serie A juventine, mirëpo është herët për ta mbyllur.
INTER
Interi e ka zakon të ngjitet kështu dhe pastaj të dështoj dhe nëse shohim disa nga ndeshjet e tyre të kujton sezonin e parafundit kur nuk ishin bindës në lojë. Megjithatë rezultatet edhe atëherë ishin pozitive. Dy javët e ardhshme zikaltërit e Milanos përballen me Milanin dhe Napolin. Nëse marrin më shumë se gjysmën e pikëve atëherë vërtetë mund të shfaqin veten si favorit edhe për titull.
Është e çuditshme pse Spalletti preferon Borjan para Gagliardit, por ai që po shkëlqen në mesfushë këtë fillim sezoni është në fakt Brozovic. Kroati po kalon formë të mirë bashkë me bashkëkombësin Perisic, e edhe Icardi e ka gjetur golin heret në sezon. Pozita është e lakmueshme, por loja e Interit për momentin nuk është prej një kampioni. Sidoqoftë, nëse arrin të komponohen me kohë, mund të mundojnë Juventusin e Napolin.
NAPOLI
E kur jemi tek loja e kampionit, atëherë aty kemi Napolin. Jo pahiri gjenden në krye të renditjes. Humbja e vetme vije nga Shakhtari. Ukrainasit ishin të vetmit që i mbanë ata nën tre gola të shënuar për ndeshje. Konsistenca e formacionit është arma më e fortë e Sarrit. Lëndimi i Milikut veçse ka rehatuar ekipin duke i lënë hapësirë të mjaftueshme Mertensit për të shënuar. Golin e kanë gjetur mjaft shpesh edhe Insigne e Callejon, derisa treshja e mesfushës me Allan, Hamsik e Jorginho është e gurtë. Edhe Zielinski, Diawara e Rog kanë gjetur minutat e tyre që i kanë shfrytëzuar për merak.
Kanë edhe talente tjera si rasti i Ounas të cilët akoma nuk kanë shpërthyer ekipin e parë, por në rast të lëndimeve eventuale mund të gjejnë hapësirë.
Napoli është për mrekulli deri tash. Vetëm ndonjë lëndim mund ti ndal për momentin. Strateg e ekip që mund ta bëj këtë nuk ka në Itali njëherë për njëherë.
JUVENTUS
Largimi i Bonuccit nuk ka goditur Juventusin. Allegri po bën shumë rotacione në mbrojtje, shumica të panevojshme, por është në zanatin e tij të bëj kështu. Ngjajshëm po ndodh edhe në mesfushë edhe pse ka arritur të inkuadroj Matuidin e Bentacurin me sukses. Dybala po kalon një super-sezon deri tani.
Ka ndihmuar edhe Higuainin e Mandzukicin të gjejnë golin, derisa Cuadrado po mbulon krahun e djathtë në mungesë të De Sciglios. Bernardeschi akoma s’po gjen minutat e duhur, por si zakonisht nën Allegrin duhet të presim sezonin e dytë të tij në Juventus.
ATALANTA
E çuditshme ishte të shohim Juventusin duke humbur pikë nga filiala e tyre në Bergamo. Atalanta ka nisur mbarë në Evropë, por edhe në Itali nuk kanë pasur rezultate të këqija. Kanë marrë pikë ndaj Juventusit e Fiorentinës, janë mposhtur nga Roma e Napoli.
Caldara po kalon një periudhë të mirë, e edhe Freuler me Cristanten e Spinazzolan s’po mbeten mbrapa në mesfushë.
FIORENTINA & CHIEVO
Me krejt ato ndryshime në formacion, edhe Fiorentina mendoj që ka gjetur mirë veten në fillimin e sezonit. Megjithatë humbja nga Chievo le për të dyshuar shumë në fjalinë paraprake, por pleqtë nga Verona janë ndër befasitë më të mira këta dy muaj. Edhe pse mbrojtja e tyre shkon mbi 35 vjeç mesatare, ngjashëm si mesfusha, kanë gjetur dy talente të mira në Bastienin e Depaolin. Huazimi i Ingeleses për një vit duhet ti jep mjaft hapësirë për zhvillim Stepinskit.
LAZIO
Për shumëkënd befasia më e mirë e vitit del të jetë Lazio. Që nga shkatërrimi i Milanit, Ciro Immobile nuk ka të ndalur. I vetëm po mban sulmin, e për mësysh është edhe forma e Luis Albertos. Kanë lëndime, disa kyçe në Andersonin, Bastosin, e Bastan, ama Marusic e Luiz Felipe po mbulojnë mungesën e tyre. Parolo akoma po arrin të jap kontribut të mjaftueshëm e talentet si Milinkovic-Savic e Murgia po shkëlqejnë. Thjesht janë ekip për merak deri tani.
Serie A po kalon një periudhë të shkëlqyeshme. Edhe pse tani do të kenë katër ekipe direkt në ligën e kampionëve, lufta është zgjeruar në gjashtë sosh, e edhe më shumë. Perfeksioni i Juventusit sezoneve të kaluara ka shtyrë tjerat të jenë më të kujdesshme në formacion. Të gjitha, pos Milanit.
MILAN
Montella ka nisur sezonin me shumë hamendje dhe me një armik abstrakt për momentin – nevojën për rotacion. Ndoshta fillimi i hershëm i sezonit e ka frikësuar më shumë se që duhet, por strategu italian ka bërë shumë lëshime në fillim para se të adaptohet në formacionin 3-5-2. Lëndimi i Contit ka goditur keq kuqezinjtë, të cilët në ndeshjet e radhës do të kenë edhe mungesën e Çalhanoglut. Turku nuk po e gjen veten në pozitën e tretë në mesfushë pranë Kessies e Biglias.
Askush nuk po e gjen veten në atë pozitë dhe si pasojë po mungon lidhja me sulmin. Forma e bukur e Cutrones ka dëmtuar më së shumti Andre Silvan. Në fakt portugezi ka shfrytëzuar çdo mundësi të mirë deri tani, por akoma nuk po e bind italianin që ta startojë në dy ndeshjes radhazi së paku. Milani ka probleme për tu stabilizuar edhe në mbrojtje me Bonuccin larg formës së tij të zakonshme. Nevojitet kohë dhe durim për ta.
ROMA
Kohë dhe durim është nevojitur edhe për Dzekon. Boshnjaku po kalon dy sezone të shkëlqyeshme pas sezonit të parë jo aq të mirë. Lëndimi i Schick mund të lodh atë, sidomos me orarin jo aq të lehtë që i pret pas këtyre pushimeve.
Di Francesco ka stabilizuar ekipin së fundmi, derisa Kolarov del të jetë prurje fantastike. Gonalons po gjen pak minuta në mesfushë, por fajtor mund të jetë Pellegrini dhe forma e tij e mirë këtë fillim.