MIREL JOSA PAS NDESHJES

Josa: Na duhet qetësia
11 October, 2017 @22:10
Trajneri i Prishtinës, përkundër fitores së vështirë ndaj Vëllaznimit sot në Superligë, pas ndeshjes ka thënë se ekipit të tij i duhet qetësia para ndeshjeve të radhës.
Ai ka shtuar se nuk do të ishte çudi që ndeshja të përfundonte me barazim, pasi që bardhekaltërit shënuan golin në minutën e parë shtesë të takimit.
“Duke e mbajtur në shumicën e kohës topin në posedim, them se e merituam fitoren, por nuk do të thoshte gjë të përfundonte ndeshja edhe në barazim, sepse ne shënuam në minutën e 90-të. Ishte kjo pas ngulmimit që patëm në mënyrën se si u luajt për të qarë qendrën e kundërshtarit ku edhe bëmë dy-tre herë, me Bozhoviçin, Ahmetin apo Mankendën. Fitoret vijnë edhe me 1:0, jo vetëm me diferencë golash. Ne duhet respektuar kundërshtarët, ata që mbrohen mirë e që luftojnë dhe këtë Vëllaznimi sot e pati si avantazh shumë të madh. Pra, jam i kënaqur se si qarkulluam topin, por nuk jam i kënaqur me vonimin e ndërtimit të aksioneve dhe kjo është problem që na jep shumë për të bërë. Kjo fitore na jep qetësi dy ditore, sepse menjëherë na pret ndeshje tjetër. Dhe sidomos qetësia na duhet, e këtë iu kam thënë lojtarëve, sepse një skuadre siç është Prishtina i duhet fitorja dhe për këtë duhet qetësia psikologjike. Pra kjo na duhet, s’kemi shumë kohë dhe duhet menduar vetëm për ndeshjen e ardhshme,” ka thënë Josa pas ndeshjes, shkruan faqja zyrtare e Prishtinës sot.
Prishtina me këtë fitore, ka arritur në pozitën e pestë të klasifikimit tabelar, ndërsa xhiron që vjen i shkon kampionit aktual, Trepçës’89.