TREPÇA'89-BESA

John dhe Hasani shënojnë, 89shi fiton
11 October, 2017 @15:52
Golashënuesi më i mirë i stinorit të kaluar, Oto John, me dy të shënuara dhe një tjetër nga Florent Hasani i kanë sjellë Trepçës’89 fitoren e dytë me radhë në shtëpi, sot ku ekipi mitrovicas mposhti Besën e Pejës, 3-0.
Dy gola të shënuara nga John , një në pjesën e parë dhe një tjetër në fillim të pjesës së dytë, kanë treguar se 89’shi po shkon drejt fitores dhe tre pikëve të radhës, derisa Besa është treguar e pafuqishme, duke regjistruar humbjen e tretë me radhë në Superligë sot.
Më pas, reprezentuesi i të rinjve të Kosovës, Florent Hasani, i ka dhënë goditjen përfundimtare ekipi pejan, për fitoren e 89’shit.
Me këtë fitore, kampioni aktual i Kosovës kërcen në pozitën e dytë të klasifikimit (16 pikë) dhe i afrohet në 1 pikë Llapit lider, ndërsa Besa mbetet në 9 pikë në zonën e rrezikshme të Superligës.