ISMET MUNISHI PAS NDESHJES

Munishi: Gjykimi është tendencioz
11 October, 2017 @22:13
Trajneri i Vëllaznimit të Gjakovës, Ismet Munishi, pas disfatës nga Prishtina sot 1-0, ka shpërthyer.
Ai është përjashtuar nga referi i ndeshjes në minutat e fundit të takimit, ndërsa në deklaratën e tij pas ndeshjes ka thënë se ekipi i tij po bie pre e referimit në disa ndeshje jashtë terrenit dhe ka pyetur deri kur do të shkojë kjo punë kështu.
“Ishte faull për ne para faullit të Prishtinës. Dhe në të gjithë pjesën e dytë gjyqtari vetëm sa e afronte topin dhe më mirë do të ishte të vishte fanellën e Prishtinës të luante si sulmues. Nuk është në rregull. Jemi penalizuar në të gjitha ndeshjet. Nuk kam fol në ndeshjen me Drenicën, me Llapin për penalltinë e pa akorduar, s’kam fol në Gjilan. Deri kur kështu më. Nuk është në rregull. Djemtë po luftojnë 90-minuta dhe me pas këso gjërash. Ndërsa në bazë të ndeshjes e kemi merituar një pikë, kurse kemi pasur shumë mungesa dhe qëllimi ka qenë një pikë. Jo, ky rezultat nuk na dëmton, kampionati është i gjatë, përveç nëse vazhdojnë të na gjykojnë kështu, sidomos kur po luajmë jashtë gjykimi është tendencioz, në të gjitha ndeshjet që kemi luajtur jashtë,” ka thënë Munishi pas ndeshjes, shkruan faqja prishtinafc.com sot.
Vëllaznimi deri tash ka marrë vetëm një pikë në Superligë si mysafir, ndërsa sot është mposhtur nga Prishtina në momentet e fundit të takimit.
Kuqezinjtë e Gjakovës në xhiron që vjen presin Dritën e Gjilanit, që është në formë të jashtëzakonshme për momentin.