TEUTA-PARTIZANI

Sukaj njofton Iulianon me fitore
12 October, 2017 @22:06
Sulmuesi shkodran i Partizanit të Tiranës, Xhevahir Sukaj, ka shënuar penalltinë në minutën e 80 të takimit ndaj Teutës sot si mysafir, për t’ia sjellë fitoren e parë të kuqve të Tiranës në Superiore këtë stinor. Borozani.com
Albi Dosti i kishte dhënë heret epërsinë durrësakëve, por më pas një penallti e humbur e tyre, e mbrojtur nga reprezentuesi i Partizanit, Alban Hoxha, ndaloi thellimin e epërsisë.
E këtë më së miri e shfrytëzoi Lorenc Trashi, që shënoi pas një pasimi të gjatë të bashklojtarit të tij, pak para mbylljes së pjesës së parë të ndeshjes.
Në pjesën e dytë u krijuan shumë raste nga të dyja palët, por goli i vetëm erdhi nga penalltia e Sukajt, që bëri trajnerin e Partizanit, Mark Iuliano të festonte shumë pas golit të parë të shënuar në kampionat të ekipit të tij, njëkohësisht edhe fitores së parë.
Teuta e përfundoi ndeshjen me 9 lojtarë në fushë, pas skuqjes së dy lojtarëve të saj kah fundi i ndeshjes, kur boshnjaku Anel Dedic dhe sulmuesi Ardit Shehaj marrin të kuqen nga referi.