PËRFORCIM ME PËRVOJË NË MESFUSHË
Arbëria merr Flamur Shalën nga Drenasi
6 January, 2020 @19:52
Skuadra e Arbërisë që po mëton Superligën për herë të parë në histori të klubit, ka zyrtarizuar përforcimin e parë të vitit 2020.
Ai është mesfushori i cili deri tash ka luajtur për Drenasin, Flamur Shala, ndërsa përvoja e tij vjen edhe nga Feronikeli, ku ka luajtur më parë.
Klubi nga Dobraja e Lipjanit i ka uruar mirëseardhje futbollistit në fjalë që ka nisur karrierën në shkollën e futbollit të Prishtinës, ndërsa me angazhimin e tij në fushë presin që të jenë konkurrent të fortë për në Superligë.
Arbëria e ka përfunduar stinorin vjeshtor në pozitë të dytë të Ligës së Parë dhe me gjasa reale për Superligë. Ata kanë vetëm një pikë më pak sesa kampioni i pjesës vjeshtore, Besa.