NERTIL HOXHAJ
Llapi merr edhe një lojtar të Vushtrrisë
6 January, 2020 @17:48
Mbrojtësi i ri 22 vjeçar, Nertil Hoxhaj, që në pjesën vjeshtore të stinorit 2019/20 veshi fanellën e Vushtrrisë, është zyrtarizuar si lojtar i ri i Llapit të Podujevës.
Klubi llapjan ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratë 1.5 vjeçare me fierakun që luan në të majtë të mbrojtjes, për ta mbajtur atë në klub deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Hoxhaj përkundër moshës së re ka pasur disa aventura në karrierën e tij, duke nisur nga Partizani i Tiranës, pastaj Flamurtari i Vlorës, Bylisi, Elbasani dhe së fundi, Vushtrria - për të cilët shënoi edhe gol në njërën nga 10 paraqitjet e tij përgjatë vjeshtës.
Ky është përforcimi i dytë i Llapit këtë janar, që vjen nga Vushtrria pas sulmuesit Jasmin Raboshta, të cilin gjithashtu podujevasit e prezantuan sot.