SULMUESI NIGERIAN PARA RIKTHIMIT NË SUPERLIGË
Dallku konfirmon, Oto John 95% i Prishtinës
6 January, 2020 @16:09
Pas bisedës sonë eksluzive me sulmuesin nigerian të Skënderbeut, Oto John, interesimin për të dhe ardhjen e tij drejt Prishtinës e ka konfirmuar edhe trajneri i bardhekaltërve, Armend Dallku.
Për më tepër, Dallku ka bërë të ditur se ish golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës tashmë 95% është lojtar i Prishtinës dhe beson se do të arrihet krejt 100%-shi për të finalizuar marrëveshjen.
“Ne stafi nuk kemi pasur pushim fare dhe kemi insistuar të gjejmë futbollistë përforcues, sidomos në pjesën ofensive aty ku kemi çaluar më së shumti. Pra, kemi kërkuar lojtarin e përshtatshëm jo vetëm në filozofinë tonë të lojës, por edhe që e njeh kampionatin tonë dhe jo të gjejmë dikë që do të na merrte kohë deri në adaptim. Pra, nuk dua lojtarë të panjohur apo që nuk i njeh rrethanat e futbollit kosovar. Besoj se do t’ia arrijmë të sjellim atë që kemi dashur dhe mund të konfirmoj se jemi afër pothuajse 95% me Otto John,” citohet Dallku nga faqja zyrtare e Prishtinës sot.
Bardhekaltërit nuk janë bërë kampion të Kosovës në futboll tashmë gjashtë stinorë të plotë. Ata kanë përfunduar vjeshtën në Superligë në pozitë të katërt dhe vetëm tre pikë më pak se lideri befasues i vjeshtës, Ballkani. John kishte qenë pistoni kryesor i Trepçës’89 në rrugëtimin e tyre drejt titullit të parë dhe historik të kampionit të Kosovës, në stinorin 2016/17. Ai kishte shënuar rekord 27 gola në Superligë përgjatë atij stinori.