NISIN PËRGATITJET
Çekët kërkojnë fitore për kualifikim
11 November, 2019 @23:35
Derisa Kosova po kryente stërvitjet e para në Fadil Vokrri, në anën tjetër, në Çeki, futbollistët e reprezentacionit të tyre kanë kryer stërvitjet e para, para duelit ndaj Kosovës.
Çekia me një fitore do të siguronte kualifikimin në EURO 2020. Ata kanë sikurse Kosova gjashtë ndeshje të zhvilluara, por një pikë më shumë, 12.
Befasisht, në përballjen e tyre të fundit kualifikuese, Çekia kishte mposhtur Anglinë në Pragë, duke i marrë tre pikët e mëdha - që tashmë atyre ua hap dyert e kualifikimit edhe me një humbje potenciale nga Kosova.
Njëri ndër lojtarët më të dalluar të reprezentacionit, Patrik Schik nuk do të jetë pjesë e ndeshjeve të fundit.
Në anën tjetër, Kosova edhe po ta fitojë Çekinë në përballjen e së enjtes, do të duhet të sigurojë së paku një pikë ndaj anglezëve në Prishtinë, ashtu që të bëhet pjesë e EUROs historike, pasi që Çekia në përballjen e fundit ndeshet me Bullgarinë tashmë të pa gjasa dhe atë pa praninë e publikut në Sofje, pasi që këta të fundit janë dënuar nga UEFA-ja për shkak të racizmit të shfaqur nga publiku në përballje ndaj Anglisë.
Ndërsa selektori i Çekisë ka bërë të ditur se të gjithë lojtarët që i ka ftuar, i ka në dispozicion dhe 100% të gatshëm për lojë.
“Secili është në gjendje të mirë. Ka disa lëndime të lehta, por të gjithë do të jenë plotësisht të gatshëm për lojë. Ky është lajm i mirë,” ka thënë Jaroslav Silhavy për Ceske Noviny.
Kujtojmë, Kosova ka mposhtur Çekinë në përballjen e shtatorit, duke fituar 2-1 në Prishtinë.