NGA KONFERENCA
Ujkani: E enjtja, finale për ne
11 November, 2019 @22:48
Portieri i Kosovës dhe i Torinos në Serie A, Samir Ujkani, në konferencën e sontme për shtyp, para ndeshjes me Çekinë ka thënë se ndeshja e radhës është finale për Kosovën.
Ndër të tjera ai ka thënë se ekipi edhe duhet të ketë fat, ndërsa për Kosovën pikët e çojnë ëndrrën drejt realitetit.
“Ne po shohim ndeshjen e së enjtes, që është një finale për ne. Atje duhet patjetër të japim maksimumin dhe të marrim rezultat maksimal. Duhet të marrim pikët për ta bërë ëndrrën realitet, ky është qëllimi ynë. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë. Kemi fatin që në muajin mars të kemi edhe një rast tjetër për t’u kualifikuar, por ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e së enjtes, për të marrë rezultatin që na vlen. Stresin e kanë çekët, sepse luajnë në shtëpinë e tyre. Atyre u vlejnë ndoshta të dy rezultat, fitorja dhe barazimi, por ne duhet të bëjmë atë që do të na thotë trajneri, duke vijuar me këtë ritëm dhe me pozitivitetin që kemi brenda grupit. Tani se çfarë do të ndodhë në fushë do ta shohim, ka pjesë edhe fati”, ka theksuar Ujkani.
Kosova është mysafire e Çekisë të enjten më 14 nëntor 2019, në përballjen e parafundit të Grupit A drejt EURO 2020. Çekia ka një pikë më shumë sesa Kosova dhe fitorja u siguron atyre kualifikimin. Kosovës, gjithashtu i duhet fitorja për të shpresuar në përballjen e fundit, ndaj Anglisë në Fadil Vokrri.