PAS KONFERENCËS
Rrahmani: Rezultati do të vijë
11 November, 2019 @23:22
Kapiteni i reprezentacionit të Kosovës, Amir Rrahmani, në konferencën e sontme për shtyp para ndeshjes së Çekisë dhe Kosovës ka thënë se të dyja skuadrat kanë një lloj presioni në këtë ndeshje.
Atyre u duhet për kualifikim, ndërsa neve për të shtuar shpresat.
“E dimë që është një ndeshje shumë e vështirë, sepse luajmë ndaj kundërshtarit direkt për vendin e dytë. Takimin e parë në shtëpi e kemi fituar 2-1, por atje do të jetë shumë ndryshe, me shumë presion. Presioni nuk do të jetë vetëm mbi ne, madje Çekia do të ketë më shumë presion. Ndoshta është më mirë për ne që ata kanë më shumë presion për fitoren. Kështu që do të jetë një përballje me tension, por qëllimi ynë kryesor është të japim maksimumin. Besoj që rezultati do të vijë. Liga e Kombeve si mundësi e dytë? Përderisa kemi shans që të kualifikohemi nëpërmjet kualifikueseve të Evropianit, po, besojmë se mundemi dhe duhet ta provojmë. E kemi thënë me kohë që nuk duhet të mendojmë për Ligën e Kombeve sepse kemi përpara kualifikueset. Të gjithë lojtarët janë të fokusuar aty”, ka thënë Rrahmani.
Kosova është mysafire e Çekisë të enjten më 14 nëntor 2019, në përballjen e parafundit të Grupit A drejt EURO 2020. Çekia ka një pikë më shumë sesa Kosova dhe fitorja u siguron atyre kualifikimin. Kosovës, gjithashtu i duhet fitorja për të shpresuar në përballjen e fundit, ndaj Anglisë në Fadil Vokrri.