LIDER

BOROZANI/Erdis Driza
Derbi i Prishtinës
1 September, 2013 @19:23
Prishtina ka arritur të shënojë fitore në derbin e mjegullt të Superligës së Kosovës, që nisi me gaz lotsjellës ndaj tifozëve, iu shty starti derisa u qetësuan gjakrat dhe përkundër se ia nisi me diell, përfundoi me reflektorë të ndezur në stadium.
Golin e vetëm në ndeshjen e tensionuar në disa raste e ka shënuar kapiteni prishtinas, Azem Ahmeti, që me një goditje precize nga mbi 20 metra në minutën e 75-të të takimit ka bërë dallimin ndërmjet kampionit dhe nënkampionit aktual, Trepçës 89.
Mitrovicasit në 20 minutat e fundit të takimit luajtën me dhjetë veta pasi që Drilon Musa morri kartonin e dytë të verdhë nga gjyqtari Bejtë Fejzullahu dhe u përshëndet nga ndeshja.
Rast ideal për Trepçën 89 në pjesën e parë ka shpërdoruar i rikthyeri, Kreshnik Rexha, që nuk ka arritur të shënojë përkundër se ka dalë vetë para portierit prishtinas Kushtrim Mushica.
Me këtë fitore, Prishtina ka marrë lidershipin në Superligën e Kosovës.
Fitorja e parë për vushtrriasit
Llamkos Kosova ka regjistruar fitoren e parë të stinorit sot duke e mposhtur Drenicën 2-1. Në fakt, mysafirët kuqezinj kanë qenë të parët që kanë kaluar në epërsi me anë të golit të Qemal Elshanit.
Mirëpo, në pjesën e dytë vushtrriasit kishin përgatitur një muhabet tjetër, ku i disponuari Liridon Ahmeti ka shënuar dy herë për të përmbysur rezultatin, sjellë fitoren për Llamkosin dhe për të regjistruar fitoren e parë në Superligë këtë stinor.
Pampurët importojnë pikë
Fushë Kosova ka importuar një pikë tejet të rëndësishme nga Hajvalia sot. Djelmoshat e Zylkifli Obërtnicës kanë arritur të shënojnë gol dy minuta pa përfunduar takimi nëpërmjet Leutrim Beqirit për të anuluar epërsinë e hershme të Hajvalisë.
Derbi i komshinjëve, pa gola
Komshinjtë, Drita dhe Ferizaj, kanë ndarë pikët në Gjilan. Drita dominoi në pjesë të parë me disa raste të huqura nga Florim Berisha, prej të cilave një e qindpërqindrë. Ndërsa në pjesën e dytë, sidomos kah finishi i ndeshjes, Ferizaji ka marrë iniciativë të plotë duke rrezikuar seriozisht, por fitorja nuk erdhi.
Shkumbin Salihu dhe Qëndrim Dautaj u dalluan me raste për shënim, ndërsa Egzon Shabani dhe Driton Vokshi në dy raste goditën shtyllën e portierit gjilanas - që në fund dëshpëroi ferizajasit.
Bardhë në Merdarë
Llapjanët nuk kanë arritur të mposhtin Ferronikelin në Merdarë sot. Përkundër rastit më të mirë të ndeshjes nga Mentor Zhdrella në pjesën e parë, kur goditi shtyllën, Hysi dhe Ferronikeli në fund u pajtuan me një 0-0 të zbehtë.
Rezultatet dhe tabela aktuale.
RAIFFEISEN SUPERLIGA, SOT
Drita-Ferizaji | 0-0 | ||
Hysi-Ferronikeli | 0-0 | ||
Hajvalia-Fushë Kosova | 1-1 | Qëndrim Sejdiu 6' - Muhabi Bushi 88' | |
Llamkos Kosova V-Drenica | 2-1 | Liridon Ahmeti 47', 75' - Qemal Elshani 25' |