KUPA E KOSOVËS: DRENICA - GJILANI
Drenica befason dhe eliminon Gjilanin, pas vazhdimeve
8 February, 2020 @15:14
Drenica ka arritur gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës befasisht, duke eliminuar Gjilanin favorit në këtë duel, ku këta të fundit luajtën që nga minuta e 60-të e ndeshjes me një lojtar më pak, pasi që Franc Veliu u ndëshkua me karton të kuq.
Në kohë të rregullt dueli përfundoi pa gola, 0-0, edhe pse Gjilani kishte shumë raste, por prishja e baraspeshës në fushë i dha zemër drenicakëve të drejtuar nga Gani Sejdiu, që nisën sulmet dhe rrezikuan kah fundi.
E pasi që nuk kishte fitues pas 90 minutave lojë, në vazhdime ka qenë Drenica që kaloi në epërsi. Me të nisur vazhdimet, Qemail Elshani gjen në zonë Hasan Hysenin, që shfrytëzon pasimin e tij, për 1-0 (93’).
Më pas, te Gjilani në lojë futen Fiton Hajdari dhe Sebino Plaku, për të kërkuar golin.
Por, Drenica përsëri shënoi. Në 15 minutëshin e dytë të vazhdimeve Genc Hamiti mbyll gjithçka, kur realizon për 2-0 (110’).
E deri në fund, sulmet e panumërta të Gjilanit, panë një gol, të shënuar për nder nga Fiton Hajdari për përfundimtaren 2-1 (119’).
Me këtë fitore, Drenica siguron gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës.