KUPA E KOSOVËS: PRISHTINA - VUSHTRRIA
Oto John bën dallimin, Prishtina në gjysmëfinale
8 February, 2020 @15:00
Prishtina ka shënuar fitore më të lehtë sesa që ka pritur në përballjen e çerekfinales së Kupës së Kosovës ndaj Vushtrrisë.
Bardhekaltërit kanë fituar ndeshjen 4-1 dhe kështu kanë siguruar vend në katërshen më të mirë të garës më masive të futbollit në Kosovë, duke i eliminuar vushtrriasit.
Epërsinë Prishtina e mori heret. Ka qenë Oto John, që u pengua në zonë për të nxjerrë penallti, të cilën e konkretizoi Endrit Krasniqi (2’) për 1-0. Kjo ka qenë ndeshja e parë zyrtare e nigerianit në fanellën e Prishtinës, prej se u rikthye në Superligë.
Shpejt, përforcimi i afatit kalimtar dimëror shënoi edhe vetë. John ngriti epërsinë 2-0 (26’) kur shënoi pas një rasti brenda zonës së mysafirëve.
Vushtrria nuk lejoi pushim të rehatshëm për prishtinasit. Nisi të merr iniciativë dhe pas disa rasteve që i priti portieri Eglant Haxho, ka qenë Drilon Fazliu që ka shënuar për 2-1 (45’).
Sidoqoftë, në pjesë të dytë Prishtina nuk i la asgjë rastit. Së pari Ergyn Ahmeti shënoi për 3-1 (73’) derisa nigeriani John përfundoi krejt dilemat e ndeshjes, duke shënuar për 4-1 (79’).