FUSTALL
Pas eliminimit, “duhanxhinjtë” përjashtohen nga reprezentacioni
6 February, 2020 @0:27
Pas eliminimit “ekspres” nga kualifikimet e raundit të parë të ciklit për Kampionatin Evropian 2022, Këshilli për çështje emergjente të FFK-së ka mbajtur mbledhjen me ç‘rast ka përjashtuar futsallistët e Kosovës, të cilët “u panë” duke pirë duhan në aeroport, para nisjes për në Gjeorgji, ku u zhvilluan ndeshjet kualifikuese.
Kosova shënoi vetëm një fitore në grup, duke e mposhtur Austrinë, derisa u mposht nga Gjermania e Gjeorgjia, për tu eliminuar nga garat. Austria dhe Gjermania për herë të parë morrën pjesë në një garë kualifikuese të futsallit!
KÇE e FFK-së për shkak se kanë bërë sjellje që nuk përkojnë me rregullat e etikës të një futbollisti përfaqësues, kanë përjashtuar nga ekipi lojtarët: Oso Gjinovci, Bajram Ramadani dhe Dardan Topilla.
“Këshilli për çështje emergjente ka analizuar me kujdes edhe paraqitjet individuale dhe sjelljet e futbollistëve në këto ndeshje, duke konstatuar se sjellja e disa futbollistëve nuk ishte në nivelin e duhur përfaqësues, ngase bartja dhe mbrojtja e fanellës së Kombëtares së Kosovës janë detyra dhe obligime të shenjta për secilin futbollist, që kërkon sjellje dinjitoze jo vetëm në lojë por edhe jashtë lojës. Kështu që futbollistët, Oso Gjinovci, Bajram Ramdani dhe Dardan Topilla, gjatë udhëtimit për Gjeorgji kanë pasur sjellje që nuk përkojnë me Rregullat e etikës së një futbollisti përfaqësues, ndaj Këshilli për çështje emergjente ka marrë vendim për përjashtimin e tyre nga ekipi kombëtar. Këshilli për çështje emergjente beson se kjo masë do të ndikojë tek këta futbollistë dhe tek të tjerët që të kenë kujdes, kur veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës,” është thënë ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.