SADAT PAJAZITI
Drenica emëron trajnerin e ri
4 January, 2018 @16:30
Trajneri që bëri lider, kampion vjeshtor, KEK-un në Ligë të Parë të Kosovës këtë stinor, Sadat Pajaziti, ka marrë drejtimin e ekipit të Skenderajt, Drenica.
Njoftimin e ka bërë të ditur vetë klubi drenicak, përmes një postimi në Facebook, ndërsa Pajaziti, që u largua nga KEK-u me të përfunduar pjesa vjeshtore e stinorit, ka marrë drejtimin e kuqezinjëve të Skenderajit, që po kërkojnë mesin e klasifikimit në Superligë.
Drenica vjeshtën e përfundoi në pozitë të gjashtë përkundër krizës së madhe financiare në skuadër. Ndërsa gjatë javëve të fundit, ekipi ndërroi kryesi dhe tashmë duket të ketë stabilizuar edhe çështjet financiare e Pajaziti do të ketë gjithsesi më të lehtë punën për të vazhduar me klubin.
Drenica vjeshtën e kaloi me trajner Bekim Shotanin, që la skuadrën pas përfundimit të pjesës së parë të stinorit. Shotani Drenicën e la në mes të tabelës, në vend të gjashtë me 8 fitore, 4 barazime e 6 disfata, në total me 28 pikë, sa kanë edhe Liria e Feronikeli mbi ta në klasifikim.
Pajaziti, që më parë ka drejtuar edhe Dritën dhe Gjilanin në Superligë, ka nënshkruar kontratë 18 muajshe me ekipin e Drenicës.