RASTI IILIJA IVIÇ
FFK reagon ndaj rastit Ilija Iviç
21 February, 2020 @21:38
Futbollisti i ri, Ilija Iviç, që kishte vendosur të braktiste përrallat politike dhe të mirrej 100% me sport, pasi që kishte nënshkruar me Flamurtarin e Prishtinës u bë edhe anëtar i grupmoshave të reja të Kosovës.
Djaloshi i ri nga Graçanica, pranë Prishtinës, u bë anëtar i Kosovës U19, pasi që i arriti ftesa nga FFK-ja.
Mirëpo, sot një lajm që s’ka të bëj aspak me futboll, tregoi edhe njëherë se çfarë ndikimi ka shteti serb në politikanët e tyre që jetojnë e veprojnë në Kosovë - e që dënon direkt të gjithë ata që pranojnë të jenë pjesë e Kosovës në një mënyrë tjetër, pos politikës ku ka para të majme.
Iviçit të dy prindërit i janë përjashtuar nga puna sot, kanë bërë të ditur mediat. Nëna e tij ka punuar në Komunë të Graçanicës, ndërsa babai në arsim.
“Po, nuk është lehtë. Por në këtë pikë në karrierën time është shumë e rëndësishme të jesh pjesë e përfaqësueses,” është cituar të ketë thënë Iviç më parë, kur kishte vendosur të jetë pjesë e kuqezinjëve të Flamurtarit.
“Natyrisht se gëzohem që do të luaj për ekipin e parë të Flamurtarit. Në përgatitje kam kaluar shumë mirë. Kur e pashë që puna dhe cilësia po vlerësohen, kjo më ka dhënë fuqi të vazhdojë me tempo edhe më të lartë,” kishte thënë graçanicasi.
E pas vendimit të sotëm të Komunës së Graçanicës për përjashtimin e prindërve të tij nga puna, ka reaguar edhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, që u zgjodh së fundi me tensione të llojit të vetë.
“Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës është tronditur sot me lajmin e mësuar nga drejtuesit e KF “Flamurtari”, se prindërit e futbollistit të ri të këtij klubi, Ilija Iviq, janë përjashtuar nga puna (nëna si shërbyese civile në Komunën e Graçanicës, e babai si punëtor arsimi) për shkak se djali i tyre ka pranuar të luajë për Kombëtaren U19 të Kosovës.
KE i FFK-së e dënon ashpër këtë akt qyqar të ndërmarrë nga drejtues të institucioneve që funksionojnë brenda sistemit të Republikës së Kosovës, por edhe të atyre të sistemit paralel serb, e që për qëllim kanë futjen e frikës tek bashkëqytetarët tanë serb, të cilët e shohin Kosovën si vendin e tyre dhe që duan të kontribuojnë në zhvillimin dhe ngritjen e saj edhe në futboll.
Është për keqardhje se si presioni i institucioneve të Serbisë është aq i shtrirë tek komuniteti serb që jeton në Kosovë, sa që nuk lejojnë që një futbollist i talentuar ta zhvillojë karrierën e tij ashtu siç dëshiron. Kjo dëshmon se sa e vrazhdë është politika serbe ndaj bashkëkombasve të tyre që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe që duan që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në paqe dhe në harmoni me bashkëqytetarët e tjerë në Kosovë.
Federata e Futbollit e Kosovës vazhdimisht ka qenë e hapur dhe është përpjekur t’u japë hapësirë të gjithë talenteve të futbollit, pa marrë parasysh se cilit komunitet i takojnë. Edhe në rastin e talentit Iviq, ne e kemi përkrahur fuqishëm vendimin e përzgjedhësit të Kombëtares U19, Ramiz Krasniqi, që ta ketë në dispozicion këtë futbollist dhe e kemi inkurajuar atë që t’i japë hapësirë të gjithë lojtarëve që e meritojnë të veshin fanellën e Kombëtares tonë.
FFK asnjëherë nuk i shikon futbollistët në baza kombësie, racore, përkatësie etnike apo fetare, por gjithmonë do të jetë e përkushtuar që t’i ftojë në kombëtaret e saj zinxhir futbollistët më meritorë.
Me këtë rast kërkojmë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, por edhe nga UEFA e FIFA që të reagojnë fuqishëm në parandalimin e dukurive të tilla diskriminuese që vijnë në vazhdimësi nga shteti serb. Kjo është ndërhyrje e pastër e politikës në sport dhe duhet të dënohet nga të gjithë.
Federata e Futbollit e Kosovës do të bëjë çmos që edhe në të ardhmen të gjithë të rinjve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike t’ju mundësojë hapësira për zhvillimin dhe shfaqjen e talentit në të gjitha trevat ku ata jetojnë, por edhe në ekipet kombëtare.” - është thënë në Komunikatën e lëshuar nga FFK-ja sot.