KUKËSI 1-2 TIRANA
Derbi Kukësi-Tirana: Përmbysje për kryesim në kryeqytet
21 February, 2020 @20:50
Sikuse në Superligën e Kosovës, edhe në Superioren e Shqipërisë prej sot kemi kryesues të ri në tabelë.
Tirana ka arritur që të mposht Kukësin në derbin e xhiros XXIII, duke përmbysur epërsinë e ekipit të Shpëtim Duros që luante si vendas në “Air Albania, për fitore 1-2 [Vangjeli AG 53 - Batha 84, Torassa 86]
Pas pjesës së parë me shumë raste, por pa gola të shënuara, Kukësi avancoi përmes një autogoli të ish reprezentuesit të Shqipërisë, Kristi Vangjeli, që tentoi të ndalte Vasil Shkurtajn, pas krosimit të bërë nga Emiljano Musta që depërtoi bukur nga krahu i majtë.
Tirana tentoi edhe njëherë përmes Kristal Abazajt, por topi kaloi pranë shtyllës së tiranasve të drejtuar nga Emmanuel Egbo.
Sidoqoftë, baraspesha ndërroi në terren me kartonin e kuq të Olsi Teqjës.
Fauli i tij pranë zonës së 16 metërshit dhe përjashtimi i tij bën që bardhekaltërit e Tiranës të barazojnë.
Nga po ky faul, Idriz Batha shënoi mrekullisht për barazim 1-1.
Ndërsa nuk vonoi shumë erdhi edhe avantazhi. Dëpërtimi i Winful Cobbinah-së nga e djathta, tollovia në zonë me Michael Ngo’o-në dhe dalja në skenë e Augustin Torassas bëri që Dashamir Xhika të pësonte për herë të dytë dhe kështu Tirana mori gjahun e plotë nga ndeshja.
Fitorja bëri që Tirana të arrijë në krye të klasifikimit duke shënuar fitoren e trembëdhjetë të stinorit, derisa humbja e gjashtë e stinorit për kukësianët tashmë duhet t’i bëj ata të mendojnë mirë në ndeshjet e radhës.
Për 90min te Kukësi luajti reprezentuesi i Kosovës, Besar Musolli, e pak minuta kishte edhe Enis Gavazaj.
Duelet tjera të xhiros XXIII në Superiore zhvillohen nesër.
FORMACIONET STARTUESE
Kukësi: Xhika, Maliqi, Teqja, Obanor, Musta, Musolli, Limaj, Rroca, Ethemi, Abazaj, Shkurtaj. Trajner: Shpëtim Duro | Tirana: Lika, Doka, Muça, Vangjeli, Hoxhallari, Batha, Çelhaka, Cobbinah, Torassa, Cale, Muçi. Trajner: Emmanuel Egbo |