NË PRIZREN

Liria me mungesa ndaj KEK-ut
20 February, 2020 @17:09
Skuadra e Lirisë, dy ditë para fillimit të pjesës së dytë të stinorit në Ligë të Parë të Kosovës ka bërë të ditur se ka disa lojtarë të sëmurë, por edhe të lënduar e suspenduar për ndeshjen e parë të stinorit pranveror.
Kështu, në njoftimin e fundit të klubit në llogarinë e Facebookut është bërë e ditur se për shkak të suspendimit nuk do të ketë mundësi të llogarisë në sulmuesin Jurgen Gjini, ndërsa Memaj është i lënduar. Disa lojtarë tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur, janë të sëmurë me grip, por ekipi shkon atje për rezultat pozitiv.
“Gjatë tërë javës kemi patur problem me futbollsitë që janë ankuar në ftohje dhe grip. Secili që do të përfshihet në përbërje duhet të jepë maksimumin. Do të mundohemi të sanojmë situatën. Në Obiliq shkojmë për rezultat pozitiv’, ka thënë trajneri i ekipit Skender Shengyli pas stërvitjes ditën e enjte.
KEK-u pret Lirinë të shtunën më 22 shkurt me fillim në ora 13:00. Vendasit kanë përfunduar vjeshtën në pozitën e dhjetë të tabelës me 21 pikë, ndërsa mysafirët në pozitë të tretë me 26 pikë.