VUSHTRRIA 2-3 DRITA
Përvoja e Rexhës, bën Dritën lidere
21 February, 2020 @15:12
Drita është liderja e re e Superligës së Kosovës në futboll, së paku derisa Ballkani të zhvillojë ndeshjen e radhës dhe të nxjerr pikë!
Kjo, pasi që ekipi i trajnerit Adrian Nuhiu ka arritur që me një goleadë dhe me mjaft lojë të vështirë të nxjerr fitore nga Vushtrria e rrezikuar e Fitim Llapashticës, 2-3 [Fazliu 31, Istrefi 61 - Emini 18, Vuçaj 35, Rexha 72].
Ka qenë sulmuesi me përvojë i Superligës dhe golashënuesi më i mirë i stinorit të kaluar Kastriot Rexha, që ka shënuar golin e fitores për Dritën, pasi deri atëherë rezultati ishte 2-2.
Në fakt Drita dy herë ishte në epërsi gjatë ndeshjes. Por, vushtrriasit assesi të dorëzoheshin dhe luftuan deri në fund për të nxjerrë pikë.
RRJEDHA E NDESHJES
Izair Emini i dha epërsinë ekipit gjilanas duke shënuar me kokë pas një krosimi të Ilir Blakçorit (18’) për 0-1.
Drita pati rast të ngriste epërsinë, por Betim Haxhimusa s’arriti të shënojë pas një rasti në zonë të rreptësisë. E kjo u kushtoi.
Drilon Fazliu në aksionin e radhës barazon për Vushtrrinë 1-1 (31’).
Por Drita këndellet shpejt dhe Erjon Vuçaj me një shut nga jashtë, shënon për rikthim të epërsisë, pasi që portieri i vendasve nuk ishte i sigurtë 1-2 (35’).
Drilon Fazliu përsëri ishte në skenë. Shënoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë, por që ky gol u anulua nga referi i ndeshjes, Genc Nuza. Vendasit protestuan, por pjesa e parë u mbyll me epërsi të mysafirëve, 1-2.
GOLI I FITORES
Fazliu vazhdoi me lojën e tij të mirë edhe në pjesë të dytë, kur pati rast tepër të mirë për të barazuar në minutën e 56-të të ndeshjes. Por, edhe pse rasti i tij nuk u konkretizua, ka qenë Blerim Istrefi që shënoi për të ngritur në këmbë stadiumin Ferki Aliu. Istrefi shënoi për 2-2 (61’).
Për të kthyer gjithçka në vend të vetin trajneri Nuhiu inkuadron në lojë freski në sulm, duke futur Astrit Fazliun në vend të Izair Eminit si dhe më pas edhe Bunjamin Shabanin në vend të Betim Haxhimusës.
Goli erdhi. Ka qenë Kastriot Rexha që i sjell fitoren Dritës. Rexha, golashënuesi më i mirë i Superligë në stinorin e kaluar shënoi me kokë për 2-3 (72’) që doli të jetë mjaftueshëm për fitoren e madhe - duke sjellë Dritën në krye të klasifikimit të Superligës.
Deri në fund të ndeshjes Vushtrria tentoi edhe dy herë rrezikshëm për të shënuar, por goli s’erdhi.
DUELET E RADHËS
Tash derisa Drita i gëzohet lidershipit, për momentin të përkohshëm, Vushtrria do të shkojë xhiron që vjen në Prishtinë për tu ndeshur me Flamurtarin, derisa lideri i sotëm pret Drenicën në shtëpi.