LLAPI 1-4 FLAMURTARI
Flamurtari befasoi Llapin
1 December, 2019 @16:29
Skuadra e Flamurtarit, kryesisht me kundërsulme, ka bërë befasinë e ditës në Superligë.
Ekipi i dytë i Prishtinës në Superligë ka arritur të mposht Llapin në Zahir Pajaziti të Podujevës, thellë, 1-4.
Ka qenë një dygolësh i shpejtë që ka ndërruar kahjen e lojës në Podujevë sot. Së pari Gentrit Begolli (28’) më pas edhe Shend Kelmendi (32’) kanë shënuar për epërsinë 0-2 të djelmoshave të drejtuar nga Sunaj Keçi.
Rasti i vetëm konkret i Llapit në pjesë të parë erdhi nga Xhelil Abdullai që goditi shtyllën, kur tentoi të shënonte me kokë në minutën e 42-të të takimit.
Fillimi i pjesës së dytë i takoi llapjanëve, por vetëm me top. E sa i përket golave, përsëri foli Begolli. Ish lojtari i Prishtinës ka shënuar në minutën e 75-të të takimit për 0-3, e në fund të ndeshjes Festim Krasniqi (90’+1) shënon për përfundimtaren 1-4, pasi që më parë Muhamet Hyseni kishte shënuar golin e nderit për vendasit e drejtuar nga Tahir Batatina.
Me këtë fitore, Flamurtari kap shpresën për të bërë diçka më shumë në pjesën pranverore të stinorit, derisa Llapi do të duhet të konsolidohet mirë e mirë gjatë pauzës dimërore, ashtu që të ndjek kreun.