KUSH PO VJEN TE FLAMURTARI?
Flamurtari nesër prezanton trajnerin e ri
12 December, 2019 @22:34
Skuadra prishtinase, që po tenton të mbijetojë në Superligë këtë stinor, Flamurtari - nesër do të bëj prezantimin e trajnerit të ri të skuadrës, që pritet t’i çojë ata drejt shpëtimit të stinorit!
Përmes një njoftimi në llogarinë e klubit kuqezi nga Dragodoni në Facebook, është bërë e ditur se prej orës 12:00 do të bëhet prezantimi i trajnerit të ri të skuadrës, në zyret e klubit pranë stadiumit Fadil Vokrri.
“Më datë 13 dhjetor 2019 në orën 12:00 ftojmë mediat pranë zyres së KF Flamurtari te stadiumi Fadil Vokrri, ku do të bëhet prezantimi i trajnerit të ri të ekipit tonë,” thuhet në njoftim, të shkruar nga drejtori i klubit, Armend Ademi.
Në anën tjetër, ish-trajneri i shumë skuadrave kosovare dhe së fundi edhe Prishtinës, Bylbyl Sokoli, do të merr drejtimin e klubit!
Këtë e ka bërë të ditur vetë Sokoli në një intervistë dhënë për Sportin e KTV-së sonte, ku ka thënë se ka arritur marrëveshje me klubin në fjalë.
Sokoli sot një javë mbush të 61-tat, ndërsa në stinorin e kaluar ka bërë bujë me sigurimin e Superligës për KF Ferizajin, që ishte ekipi më favorit për rënie nga elita.
Para Prishtinës e Ferizajit, Sokoli ka drejtuar edhe Llapin, Renovën dhe shumë skuadra tjera. Flamurtari stinorin 2019/20 e nisi me trajnerin e njohur Artim Shaqiri, ndërsa më pas e vazhdoi me Sunaj Keçin.