JANUZI NUK MJAFTON
Prishtina po kërkon sulmues
11 December, 2019 @0:09
Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ka bërë të ditur se klubi është duke kërkuar një sulmues për pjesën e dytë të stinorit.
Ahmed Januzi me gjashtë gola të shënuara është golashënuesi më i mirë i ekipit, mirëpo vetëm ai nuk mjafton ka thënë Dallku.
“Januzi është duke punuar shumë mirë, mirëpo nuk bën të varemi vetëm te ai. Na duhet edhe një sulmues për të qenë më konkurues,” ka thënë ndër të tjera Dallku, për mikrofonin e KTV-së.
Sa i përket pjesëve tjera të skuadrës, Dallku ka shprehur kënaqësinë e tij veçanërisht me mbrojtjen e ekipit, duke qenë se bardhekaltërit kanë pranuar vetëm nëntë gola përgjatë 17 ndeshjeve të para të stinorit dhe janë ekipi me më së paku gola të pranuara në vjeshtë.
Prishtina përfundoi pjesën vjeshtore të stinorit në pozitë të katërt të klasifikimit me 31 pikë, 3 më pak se lideri që i befasoi të gjithë këtë stinor, Ballkani.