SCUDETTO

Foto: Inter/fb
Interit i duhen 1.6 pikë për ndeshje, për tu bërë kampion
12 April, 2021 @14:43
Deri në fund të stinorit në Serie A kanë mbetur edhe 8 xhiro, ndërsa Interi me 13 pikë do të sigurojë edhe matematikisht titullin kampion — të parin që prej vitit 2010.
Aktualisht neroazzurrët kanë 74 pikë, ndërsa ndjekësi i parë i tyre Milan, ka 63 pikë. Inter mund të fitojë titullin kampion edhe me më pak pikë, varësisht prej gabimeve të kundërshtarëve, mirëpo nëse ekipi do të sigurojë 13 pikë në 8 ndeshjet e fundit — do të sigurojë në çdo mënyrë titullin, që i bie 1.62 pikë për ndeshje mesatarisht në xhirot e mbetura.
Që prej herës së fundit kur Inter u bë kampion 2009/10, Milan e ka fituar në 2010/11 dhe prej atëherë nëntë herë radhazi kampion janë bërë bianconerët e Juventusit. Përndryshe, rekord-kampioni i Italisë dhe ai aktual, Juventus, ka 62 pikë pas 30 ndeshjeve dhe është 12 pikë pas Interit lider.
Në duelet e mbetura Inter do të pres Veronën, Sampdorian, Romën dhe Udinesen, ndërsa do të udhëtojë te Napoli, Spezia, Crotone e Juventus.