ONIX 0-2 ISTOGU
Istogu fiton derbin lokal
1 May, 2021 @18:56
Me lojë të mirë dhe në një ndeshje pa presion për asnjërën palë në fushë, Istogu ka shënuar fitore në derbin lokal ndaj Onixit të Banjës me rezultat 0-2 [Dardan Bajraktari 16, Egzon Kurteshi 89].
Të drejtuar nga Nazmi Rama, Istogu që deri vonë ishte në lojë për Superligë dhe finale të Kupës, kaloi lehtë Onixin që ka rënie forme prej se kryesuesit e ligës u shëkputën në tabelë.
E njëri ndër lojtarët më të dalluar të ekipit Qëndrim Jahaj depërtoi bukur dhe asistoi për Dardan Bajraktarin, që nga afërsia nuk e pati vështirë të shënojë për 0-1 (16) për të çuar qetë ndeshjen deri në fund të saj, kur krejt në fund, Bleon Alushaj gjeti Egzon Kurteshin për 0-2 përfundimtare (89).
Derisa Istogu ka vulosur pozitën e tretë në renditje tabelare dhe në dy xhirot e fundit luan ndaj ekipeve që po luftojnë për mbijetesë, Vushtrrisë dhe Drenasit, Onixi gjithashtu ka të sigurtë mbijetesën dhe do të luajë ndeshje prestigji në fund të stinorit ndaj dy ekipeve prizrenase, i shkon A&N-së dhe pret Lirinë.