ARMEND DALLKU
Kemi ngecje në realizim, por detyrat u zbatuan
24 October, 2019 @22:17
Prishtina ka shënuar fitore ndaj liderit të deritashëm të Superligës, Drita, duke e mposhtur minimalisht në Fadil Vokrri sonte 1-0.
Golin e vetëm dhe vendimtar të takimit e ka shënuar mbrojtësi i krahut, që ka qenë ndër të paktit lojtar të Superligës që ka pasur rastin të paraqitet për Kosovën në një ndeshje, qoftë edhe miqësore pas pranimit në UEFA e FIFA, Armend Thaqi.
Thaqi ka shënuar pak para përfundimit të ndeshjes për fitoren e Prishtinës, ndërsa trajneri i ekipit Armend Dallku në deklaratën e tij pas ndeshjes dhe fitore së madhe të shënuar ndaj Dritës, ka bërë të ditur se lojtarët kanë realizuar detyrat me përpikmëri, veçse ka ngecur finalizimi në krahasim me rastet.
“Ne i kishim marr masat paraprakisht dhe gjatë stërvitjeve duke e përgatitur ekipin për pikat e forta të kundërshtarit duke ditur t’i neutralizojmë. Jam shumë i lumtur për faktin që djemtë e ekipit tim me përpikëri i kanë zbatuar detyrat që u kemi dhënë duke mos e lejuar kundërshtarin të mos na rrezikoj në asnjë moment, përkundrazi ne patëm rastet tona, pavarësisht që goli erdhi në minutat e fundit, mua më bënë të ndjehem shumë krenar, sepse ato ide, apo metoda që po i stërvitim brenda javës, po zbatohen mirë brenda fushës. Mirëpo, ende kemi ngecje te realizimi, sepse mund të shënonim edhe më herët, por jam i lumtur për pikët e që kanë për ne shumë rëndësi,” ka thënë Dallku.
Me këtë fitore Prishtina tash ka 20 pikë, një më pak se Drita që bie në vend të tretë, ndërsa lideri Gjilani ka 24 pikë. Në xhiron e radhës Prishtina luan derbin lokal, ndaj Flamurtarit.