WATFORD-LIVERPOOL

Fotografitë: premierleague.com
Klopp i kënaqur, Emre me supergol siguron 3 pikë
1 May, 2017 @23:18
Një gol që rrallë shihet nëpër stadiumet botërore u shënua sonte në Vicarage Road nga Emre Can i Liverpoolit, që u tregua vendimtar në fitoren e rëndësishme si mysafir për ekipin e Jurgen Klopp.
“Ne filluam kujdesshëm, luajtëm futboll dhe provuam të krijojmë raste. Goli, natyrisht që ishte spektakular. Askush nuk e ka lehtë të fitojë këtu. Ne ishim të kujdesshëm gjatë gjithë ndeshjes dhe djemtë punuan mirë. I kënaqur jam me performancën,” ka thënë Klopp pas ndeshjes për Sky Sports.
Lucas Leiva në mesfushë u tregua përsëri i rëndësishëm për ekipin. Ai regjistroi asistimin e tretë në 5 ndeshjet e fundit për Liverpoolin.
Ndërsa protagonisti kryesor i ndeshjes Emre Can tha se sonte shënoi golin më të bukur të karrierës së tij.
“Kurrë nuk kam shënuar një gol të tillë. Ky është goli më i mirë që kam shënuar ndonjëherë. Pashë hapësirën dhe vrapova, mendova të hyja me kokë te ky top, por pastaj ndodhi çka ndodhi, s’mendova më,” ka thënë Can me buzëqeshje në fytyrë.
35 ndeshje të zhvilluara dhe 69 pikë për Liverpoolin që është i treti në klasifikim me Ligën e Kampionëve që po i buzëqesh për stinorin e radhës.
Watford në anën tjetër, rehat. Ka arritur më parë 40 pikëshin që i siguron atyre edhe një stinor në Premier Ligë dhe tashmë gjithçka për ta është lluks në 4 ndeshjet e mbetura të stinorit, për të cilët Valon Behrami nuk u paraqit fare sonte, duke qëndruar për 90 minuta në bankën rezervë.