PËRMBLEDHJE
KOSOVA NË 2023!
Shkruan: G.P
29 December, 2023 @13:30
Në prag të përfundimit të vitit 2023, TopSporti.com ka bërë një përmbledhje të ngjarjeve sportive kryesore në Kosovë përgjatë vitit 2023.
Vit i suksesshëm për xhudon si zakonisht, tjetër paraqitje dinjitoze e Ballkanit në Evropë, trendi në rritje i transferimit të futbollistëve të Superligës në Evropë e plot të tjera.
1. Xhudistët e Kosovës, përsëri të pandalshëm
Tjetër vit i suksesshëm për xhudistët e Kosovës. Të drejtuar nga trajnerët Driton Kuka e Majlinda Kelmendi, xhudistët e Kosovës përsëri patën një vit fantastik.
Përveç medaljeve të shumta në Francë, Gjeorgji e Portugali, që tashmë janë bërë të zakonshme, xhudoja kosovare kulmoi në dhjetor, kur Kampionati Evropian i xhudos u mbajt në Prishtinë.
Gjithçka në aspektin organizativ ishte fantastike, e për më tepër Kosova e mbylli kampionatin me më së shumti medalje: tri të bronzta e një të artë. Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Dardan Cena fituan medalje të bronzta, kurse Akil Gjakova fitoi medalje të artë.
I veçantë ky vit ishte sidomos për Distria Krasniqin, e cila e mbyllë vitin 2023 si e para në Botë në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Mes tjerash, vlen të përmendet edhe suksesi i Laura Fazliut, që përfundoi e shtata në Botërorin e Dohas (kategoria deri në 63 kilogramë) në maj të këtij viti
2. FC Ballkani në grupet e UEFA Conference League, viti i dytë rresht
Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani i Suharekës, për të dytin vit me radhë arriti të kualifikohet në fazën grupore të UEFA Conference League, një arritje e jashtëzakonshme dhe historike për futbollin e Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja në grup të UEFA Conference League kishte Dinamon e Zagrebit, Plzenin çek dhe Astanën nga Kazakistani. Suharekasit gjatë ndeshjeve grupore zhvilluan paraqitje mjaft të mira dhe ishin në luftë për kualifkim deri në xhiron e fundit, ndonëse grupin e mbyllën në vendin e fundit me 4 pikë.
Fitorja e vetme e Ballkanit në këtë grup erdhi ndaj Dinamos së Zagrebit, gjigandit kroat.
3. Arritje historike, Kosova mikpritëse e Lojërave Mesdhetare 2030
Një lajm shumë i mirë për sportin e Kosovës erdhi në shtator. Në vitin 2030, Kosova do të jetë mikpritëse e Lojërave Mesdhetare, një organizim sportiv gjigand, i përbërë nga sporte të ndryshme.
Kjo u vendos në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, që u mbajt në Greqi. Pas votimit prej 66 delegatëve të pranishëm, Kosova me shumicë votash fitoi të drejtën e organizimit të ngjarjes në fjalë.
Sipas premtimeve, që në sportin e Kosovës shumë herë mbesin vetëm premtime, rreth 250 milionë euro do të investohen në salla sportive, pishina e në përgjithësi infrastrukturë sportive deri në vitin 2030, që Kosova të jetë plotësisht e gatshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
4. Peja, kampione e Kosovës në basketboll
Viti 2023 ishte një vit mjaft i mirë për Superligën e Kosovës në basketboll, ku pati ngritje të dukshme të cilësisë. Më shumë skuadra të organizuara mjaft mirë, më shumë transfere cilësore dhe Play-Off shumë interesant pamë gjatë këtij viti.
Në fund, titulli shkoi te skuadra e Pejës, që në serinë finale e mposhti Trepçën 1-3.
Ky ishte titulli i parë për skuadrën pejane që prej vitit 2013.
5. KFF EP Hajvalia dhe KBF Bashkimi, skuadrat kampione te vajzat
Te vajzat, Superligën e Kosovës në futboll e fitoi KFF EP Hajvalia. Titulli nuk u vendos deri në xhiron e fundit, kur KFF Hajvalia e mposhti kundërshtarin direkt, KFF Mitrovicën, për ta fituar kështu Superligën e vajzave dhe për ta ndalur dominimin e mitrovicaseve të paktën për një vit. Kujtojmë që KFF Mitrovica është skuadra dominuese e futbollit të vajzave tash e sa vite në Kosovë.
Në basketboll, titullin e fituan vajzat e Bashkimit. Në finale, KFF Bashkimi e mposhti 3-2 në seri KBF Prishtinën.
6. Nga Superliga e Kosovës në Evropë, trend në rritje e sipër
Trendi i kalimit të futbollistëve nga Superliga e Kosovës në Evropë ka vazhduar të rritet edhe më tepër gjatë vitit 2023, e sipas spekulimeve të fundit, ky trend do të vazhdojë të rritet edhe më shumë në vitin që vjen.
Prej transfereve që duhen përmendur janë: Meriton Korenica (nga Ballkani në Manisaspor), Albion Rrahmani (nga Ballkani në Rapid Bukuresht), Ermal Krasniqi (nga Ballkani në Rapid Bukuresht) dhe Bujar Pllana (nga Prishtina në Slaven Belupo).
Përveç tyre, vitin 2024 në Rapid të Bukureshtit do ta fillojë edhe Florent Hasani, që te kjo skuadër transferohet nga Tirana pas një sezoni fantastik në Superioren e Shqipërisë.
7. Amir Rrahmani, kampion i Italisë me Napolin
Vitin 2023 do ta mbajë mend përjetë Amir Rrahmani, kapiteni i Kosovës.
Qendërmbrojtësi Rrahmani në fund të sezonit 2022/2023 arriti të shpallet kampion i Italisë me Napolin, një arritje fantastike dhe jo e shpeshtë për futbollistët e Kosovës.
Kapiteni i Kosovës luajti në 29 nga 38 ndeshjet e Napolit përgjatë sezonit të Serie A, gjatë të cilave shënoi edhe 2 gola si dhe dhuroi 1 asistim.
Gjithashtu, ai u paraqit 7 herë me Napolin edhe në Champions League gjatë këtij sezoni.
8. Tenisi i Kosovës, ngritje në Davis Cup dhe plot turne vendor e ndërkombëtar
Një vit mjaft i mirë edhe për tenisin e Kosovës.
Krahas turneve të shumtë, vendor e ndërkombëtar, të organizuar për grupmosha të ndryshme kryesisht në Pejë, Prishtinë e Prizren, Kosova shkroi histori edhe me sukesin në Davis Cup.
Tenistët nga Kosova, me 4 fitore nga 4 takime, arritën që për herë të parë të arrijnë në Grupin III të Davis Cup, që njihet si Kampionati Botëror i Tenisit. Kjo ishte hera e parë që tenistët nga Kosova e arrijnë këtë gjë.
Ky sukses bëri që Kosova të ngjitet për 20 vende në ranglistën e publikuar më 18 shtator nga Davis Cup.
Ndërkohë, në ranglistën e Kampionatit Botëror “Billie Jean King Cup”, me fitoret e vajzave, Kosova arriti të renditet në vendin e 52 në Botë.
9. Kampionët në hendboll e volejboll
Për herë të dhjetë me radhë, kampione në Superligën e hendbollit te meshkujt u shpall Besa nga Peja, skuadra dukshëm më dominante e hendbollit tonë. Sa i përket vajzave, titullin kampion në hendboll e fitoi skuadra e Istogut, njëjtë si vitin e kaluar.
Në volejboll, te meshkujt titullin kampion e fitoi skuadra e Pejës, kurse te vajzat kampione u shpall skuadra e Dritës.
10. Bad News Eagles nënshkruan me Guild Esports
Pas shpërthimit në vitin 2022, edhe viti 2023 ishte mjaft i mirë për Bad News Eagles, skuadrën e CS:GO të formuar nga djemtë nga Kosova.
Përveç pjesëmarrjes dhe sukseseve në shumë turne të ndryshëm rreth e rreth botës, këtë vit Bad News Eagles arriti të nënshkruajë kontratë për t’u bërë pjesë e organizatës Guild Esports.
Bashkëpronar i kësaj organizate të famshme është David Beckham, ish-futbollisti anglez.