FERONIKELI 5-0 FERIZAJI

Foto: KFFeronikeli/fb
Kreu i Feronikelit edhe për një xhiro
28 September, 2019 @15:53
Feronikeli ka shënuar fitore të thellë në përballjen hapëse të xhiros së shtatë ndaj Ferizajit, ndërsa kjo fitore atyre u ka siguruar kreun e klasifikimit edhe për një javë, pasi që djelmoshat e Dejan Vukicevicit, tashmë kanë krijuar gol-dallim +9.
Sulmuesi më i mirë i ekipit të Feronikelit, Kastriot Rexha, ka shënuar dy gola që në nismë të ndeshjes. Rexha së pari ka shfrytëzuar një harkim të Yll Hoxhës, duke shënuar për 1-0 (8’), ndërsa më pas, ka qëlluar nga zona për të kapur rrjetën në anë të djathtë të portierit mysafir Donat Kaçiu për 2-0 (12’).
Nervoza e Ferizajit me gola të pranuara shpejt rezultoi me përjashtimin e mbrojtësit Dardan Jashari. Ai brenda dy minutave mori dy kartona të verdhë për të lënë skuadrën me 10 veta në fushë (21’).
Pjesa e parë përfundoi me 3-0, kur pasimi i bukur i Përparim Islamit u konkretizua nga Mendurim Hoti, që shënoi për 3-0 (39’).
Ferizaji e nisi pjesën e dytë me dy ndërrime. Bekim Isufi futi në lojë Përparim Livorekën dhe Edon Sadriun, duke zëvendësuar Dren Gashin dhe Alban Rexhepin.
Mirëpo, nikli vazhdoi me ritmin e vetë, duke shënuar me Haxhi Nezirajn për 4-0 (53’) që kreu punën në ndeshje. Neziraj kishte zëvendësuar më parë golashënuesin Rexha.
E epitetin e zëvendësuesit të Rexhës, Neziraj e vërtetoi kur shënoi për përfundimtaren 5-0 (64’) duke qëlluar nga brendia e zonës bukur dhe saktë.
Deri në fund të ndeshjes, Feronikeli ka pasur rast me Hotin dhe Carioca da Silva, ndërsa Ferizaji kah fundi ka provuar me Edon Sadriun e Fillonit Shaqirin, por gola s’kishte më dhe ndeshja përfundoi 5-0.
Feronikeli merr kreun edhe për një javë, tash me 15 pikë të tubuara nga 7 ndeshje, derisa Ferizaji ka çuar numrin e humbjeve në pesë.
i:
Feronikeli: Troshupaj, Islami, Prekazi, Thaqi, Hoxha, Bojku, Dabiqaj, Hoti, Fazliu, Da Silva, Rexha. Kryetrajner: Dejan Vukiceviq Ferizaj: Kaçiu, Jashari, Bardhi, Qerkini, Kuka, Hyseni, Shaqiri, Dajaku, Rexhepi, Shala, Gashi. Kryetrajner: Bekim Isufi Gjyqtarë: Fatmir Tahiri, Meriton Berisha, Safet Berisha, Erdall Zasella |