NUOVO STADIO MILANO

Zbardhet plani i Interit dhe Milanit për stadiumin e ri
26 September, 2019 @16:52
Dy dizajnet që do të mund të fitojnë të drejtën për të bërë një stadium modern, me 60 mijë ulëse, janë publikuar sot nga dy klubet e mëdha milaneze, që luajnë aty - Inter dhe Milan.
Klubet kanë deponuar studimin e fizibilitetit për stadiumin, që pritet të kushtojë 650 milionë euro dhe të ndërtohet për maksimalisht 3 vitet e ardhshme.
“Milan dhe Inter kanë shfrytëzuar bashkarisht San Siron për më shumë se 70 vite. Madhështia dhe fuqia e projektit qëndron në faktin se përsëri të dy klubet janë bashkë, për stadiumin e ri të Milanos,” ka thënë Paolo Scaroni, drejtues i rossonerëve shkruan BBC sot.
Milan dhe Inter kanë bërë llogaritje se renovimi i stadiumit aktual do të kushtonte rreth 510 milionë euro, ndërsa do të merrte pesë deri në gjashtë vite për të përfunduar dhe do të kishte më pak ulëse.
Prandaj, klubet kanë vendosur që të bëhet një stadium nga zeroja që do të kushtonte pak më shumë, por do të bëhej më shpejtë dhe do të kishte të gjitha ambientet përreth moderne, si dhe që është më e rëndësishmja, me më shumë ulëse. Stadiumi i ri është planifikuar të ndërtohet afër atij aktual.